Vetëvendosje citon Lutfi Hazirin: “Sami Kurteshi është krenaria e Gjilanit!”

Vetëvendosje citon Lutfi Hazirin: “Sami Kurteshi është krenaria e Gjilanit!”

Nëse kryetari që po shkon, Lutfi Haziri-Luta, ka thënë diçka të vërtetë dhe të mirë gjatë këtij mandati, është vetëm vlerësimi për Kandidatin e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi. Luta në një rast të veçantë kishte deklaruar se “Sami Kurteshi është krenaria e Gjilanit, Prishtinës dhe mbarë Kosovës”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes,Qendra në Gjilan.

Më tej thuhet se kjo është thënë, jo pse Luta ka qenë largpamës, por pse është fakt i ditur nga të gjithë gjilanasit. Ky vlerësim parimor dhe i drejtë, tani sigurisht do të dëshmohet me votën e qytetarëve për Vetëvendosje dhe Sami Kurteshin, kryetar, i cili vërtetë do të jetë shembull dhe krenari e Gjilanit dhe më gjerë.

Përndryshe, tutje në komunikatë thuhet se në takimet e shumta që po mbanë Vetëvendosje me strukturat e saja në qytetet dhe fshatrat e Gjilanit, kudo po vërehet zhgënjimi i qytetarëve me premtimet boshe të Kryetarit në ikje, Lutfi Haziri. Të gjitha ato që ka premtuar, i ka harruar pas marrjes së postit, thonë qytetarët e fshatrave dhe qytetit të Gjilanit.

“Tani në prag të fushatës elektorale, ka filluar asfaltimin e disa metrave të rrugicave me asfalt të djegur, i cili po shkrihet si flluska bore me rrezet e para të diellit. Një pakënaqësi të tillë, e shprehën edhe qytetarët e Pogragjës”.

Në të vërtetë fshati Pogragjë ishte në hallë të madh për mungesën e ujit të pijes dhe rregullimin e objektit shkollor, për të cilat, u ishte premtuar mandat pas mandati nga partitë e vjetra, LDK-ja dhe PDK-ja të cilat pas kaq shumë gënjeshtrave dhe premtimeve, po shkojnë nga skena politike, pa lënë asnjë vepër të mirë që do të mbahet mend për shumë kohë. Ato që kanë mbetur në kujtesën e qytetarëve gjilanas, janë premtimet e kota, nepotizmi dhe tenderomania të cilat janë shfrytëzuar vetëm për grupe dhe klane të caktuara.

“Se vërtetë fshatrave të kësaj ane si Uglari, Pogragja, Llovca, Kokaj, Sllubica, Bilinca, Stublina, janë në gjendje të vështirë, më së miri e dëshmon edhe kundërmimi i padurueshëm, i lumit Morava, për rregullimin e të cilit, ishte premtuar fushatë pas fushate dhe nuk është bërë asgjë. Ky kundërmim, të cilin e përjetuam edhe ne gjatë udhëtimit deri në Pogragjë, vërtetë ishte i padurueshëm dhe me pasoja të rënda për shëndetin e banorëve të kësaj ane të cilët e thithin për çdo ditë”, thuhet tutje në komunikatën e Vetëvendosjes.

“Ajo që më së shumti po i revolton më së shumti qytetarët e Gjilanit është fillimi i disa punimeve elektorale, të cilave tashmë u ka dalë boja. Kjo fyerje e inteligjencës qytetare të gjilanasëve ka shkaktuar revoltë, gjë e cila po vërehet me shtimin e madh të Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo është edhe një dëshmi se gjilanasit nuk mund t’i mashtron e joshë më askush. Nuk mund të bëhen « nisma të reja »me mentalitet të vjetër e hipokrizi qeverisëse të atyre udhëheqësve që as gjyma e familjes së tyre nuk ua besojnë votën”, thuhet në fund të komunikatës së Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan.

KOMENTE