Vetëvendosje: Arratisjet nga varfëria!
“Gjatë mandatit të kaluar të qeverisjes së PDK-së, në korrik të vitit 2013 publiku u trondit me pamjet e abuzimeve e keqtrajtimeve të qytetarëve nga Kosova në burgjet e kampet e Francës dhe Hungarisë. Po vëmë re se këto ikje masive me itinerar të njëjtë, pra nga Kosova nëpër Serbi drejt vendeve të BE-së, ditëve të fundit janë shpeshtuar shumë, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Më tej thuhet:
“Koalicioni PDK – LDK veçse i siguroi qytetarët e Kosovës që e keqqeverisja e deritashme do të rehabilitohet dhe do të vazhdojë. Kjo e bën Kosovën të pashpresë për secilin qytetar, hiq militantët partiakë të partive në pushtet. Andaj largimi në rrugë klandestine edhe pse me rreziqe të mëdha, kujtojmë këtu mbytjen në lumin Tisa më 22 tetor 2009, apo burgjet hungareze, po shihen si zgjidhje më e mirë, sesa mbetja në Kosovë nën mëshirën e qeverisjes së këtij koalicioni.
Pamjet e autobusëve që marrin rrugën e emigrimit ilegal janë vetëm një shpërfaqje e vogël që ilustron dhunën e përditshme sistemore që ushtrohet çdo ditë. Kjo dhunë, edhe pse është e pavërejtshme haptazi, dita-ditës po i shton familjet që bien në gjendjen e varfërisë dhe mjerimit teksa problemi i papunësisë që nuk ilustrohet dot në pamje televizive po zgjerohet dhe thellohet vrullshëm.
Derisa ishte e domosdoshme të ndryshoheshin rrënjësisht politikat ekonomike e sociale për ta kthyer vendin tonë në një shoqëri ku mund të jetohet e punohet me dinjitet, drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosën ta ruajnë e me gjasë ta thellojnë gjendjen tepër të rëndë në të cilën na solli udhëheqja e Hashim Thaçit dhe PDK-së.
Kur qytetarëve jeta u është bërë e padurueshme në Kosovë, përgjigja nuk është disiplina policore dhe ndalimi në kufi por, sigurimi i të paktën i minimumit jetik. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër përpos se të shtyjmë përpara politika zhvillimore të cilat Qeveria që ishte dhe pritet të jetë nuk i ka bërë dhe nuk do t’i bëjë e për këtë kemi dëshmi të paktën këto 7 vite. Përmes zbatimit të politikave të privatizimeve të egra u shpronësuan dhe shpunësuan aq shumë njerëz sa që sot po marrin arratinë. Një qeveri që për dy mandate nuk siguroi as minimalisht jetë të dinjitetshme për popullin e saj, duhet të ndalojë se udhëhequri me vendin.
Ndërkohë që shtjellimit të temës se nëse këto imazhe e raportime mund të na e prishin imazhin ndërkombëtarisht është mirë t’ua zë vendin debati shoqëror se si ta bëjmë Kosovën një atdhe që nuk braktiset. E kjo është një çështje që thërret zgjidhje politike. Problemet e gjithsecilit pavarësisht veçorive individuale, por që janë të shkaktuara nga kushtet e jetesës, zgjidhjen e kanë brenda të përgjithshmes. Zgjidhja individuale është gjithnjë e përkohshme dhe e paqëndrueshme. Ndaj angazhimi shoqëror e politik është si gjithnjë i domosdoshëm”, thuhet në fund të komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje.
