/2L ONLINE/ – “Komuna e Gjilanit gjegjësisht Shërbimet Publike nuk interesohen fare për ndriçimin publik. Ne fshatin Miresh tash e një muaj jemi pa ndriçim publik dhe përkundër adresimit të problemit në shërbime publike ata as që kanë marrë mundin të merren me hallin e qytetareve të fshatit”.
Kështu ka thënë për Portalin 2L ONLINE, Sadat Salihu, Kreu i Vetëvendosjes, Pika në Miresh, e sipas të cilit, në këtë muaj prezentë ishin edhe të gjithë bashkatdhetarët në fshat, e të cilët po ashtu ishin të zhgënjyer me moskujdesin e komunës. Sipas tij bashkatdhetarët e kishin shprehur hapur reagimin e tyre për terrin qe po mbretëron ne fshat.
“Po ashtu kemi parkun e fshatit në terr dhe të gjitha rrugët ku fshatarët ankohen nga frika e qeneve, mu për shkak të territ. Siç duket tani efektet e para të dhënies së tenderit një kompanie nga Drenasi po shihen pasi nuk po mund të kemi shërbime të mirëfillta dhe rrugët vazhdojnë të jenë në terr. Qytetaret tash më kanë kuptuar se nga kjo qeverisje me jabangji, nuk do të ketë shërbime për qytetarë”, ka thënë Sadat Salihu i Vetëvendosjes. /2L ONLINE/