/2L ONLINE/ – Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan mbajti sot konferencë për media lidhur me çështjen e sportit në këtë Komunë. Ditëve të fundit, dy klubet futbollistike gjilanase siguruan pjesëmarrjen në Superligë, Gjilani dhe Drita. Kjo sigurisht që gëzoi shumë të gjithë sportdashësit e Gjilanit, madje edhe pushtetin lokal, që e lëshuan një komunikatë. Komunarët thanë se ndihen krenar me arritjet e këtyre klubeve.
Drejtuesi i Nënkomitetit për Sport në Vetëvendosje në Gjilan, Nehat Osmani, tha se krenaria e tifozëve të të dyja klubeve është kuptimplote atëherë kur luftojnë për titull të kampionit e për Kupë të Kosovës, siç ka ndodhur me vite të tëra, e jo tash kur po luftohet për ekzistencë të këtyre klubeve brenda ligës.
“Përgjegjësit e sportit dhe pushtetarët në përgjithësi do duhej krenarinë e tyre ta ndajnë me adhuruesit dhe qytetarët e Gjilanit, pra ta shfaqin atëherë kur këto dy klube me renome t’i shohim në nivelet më të larta e sidomos atëherë kur me kujdesin dhe kontributin ndaj sportit të jenë bashkëpjesëmarrës në sukseset e tyre. Në këtë periudhë u gëzuam që më në fund e sollën në Kuvend Komunal miratimin e planit për subvencionim të sportistëve, klubeve sportive dhe projekteve sportive. Për fat të kaq ishte i menjëhershëm zhgënjimi mbase edhe më i madh, me mënyrën e ndarjes së këtyre mjeteve dhe me përfshirjen e klubeve dhe sportistëve përfitues nga ky subvencionim”, theksoi Osmani.
Ai shtoi se janë mbi 40 klube sportive në komunën e Gjilanit që punojnë, veprojnë, garojnë, dhe korrin suksese, e që nuk janë përfshirë në këtë subvencionim. “Asnjë kriter i vendosur mbi rëndësinë dhe peshën e sporteve, i numrit të anëtarëve të klubeve, i kualitetit të sportistëve kulminantë individualë, nuk ka se si të mos jetë për pjesën dërrmuese të sportistëve më tepër dëshpërues se sa premtues”, tha Osmani.
Një gjë e mirë e përfshirë në planin për subvencionim ishte ajo që VETËVENDOSJE! ka kërkuar me ngulm që një kohë të gjatë – auditim dinamik dhe llogaridhënie për shfrytëzimin e mjeteve. “Kërkesa jonë e radhës është që organet kompetente të jenë konsekuente në deklarimet e tyre dhe vërtetë të vëzhgojnë dhe mbikëqyrin derdhjen e këtyre mjeteve nga buxheti i qytetarëve të Gjilanit, e jo të mbesin veç në letër, si vendimet e vitit të kaluar për ndalimin e ushtrimit të kurseve private profitabile nëpër ambientet shkollore që nuk u zbatuan kurrë”, thë ndër të tjera Nehat Osmani.
Duke folur për shpalljen e Sportistit të Vitit, Osmani tha se klubi më i trofeshëm në Komunën e Gjilanit për vitin 2014 është KK “Drita”, me mbi 400 anëtarë të të gjitha grupmoshave, dhe i shpallur nga Federata e Karatesë së Kosovës si klubi më i suksesshëm në Kosovë: “Ky klub, nuk gjeti vend për shpërblim në këtë manifestim komunal. Blerim Hajdari i përzgjedhur si trajneri më i suksesshëm për vitin 2014 nga Federata e Karatesë së Kosovës për rezultate të jashtëzakonshme dhe përkushtim të paparë me të gjitha grupmoshat, gjithashtu nuk kishte gjetur vend në mesin e më të mirëve të Gjilanit, përderisa aty gjendeshin të tillë që nuk kishin asnjë garë e aq më pak sukses për vite me radhë”, tha në fund Osmani /2L ONLINE/