Lëvizja Vetëvendosje organizoi tribunë për 20 vjetorin e hapjes së zyrës politike të UÇK-së në Prishtinë. Në tribunë ishin të ftuar nga sekretaria e zyrës, këshilltarët dhe bashkëpunëtorët e saj, prej të cilëve folën: Milot Cakaj, prof. Hakif Bajrami, Sylejman Ajeti, Albin Kurti dhe Sylejman Selimi përmes një letre të dërguar nga burgu.
Tribuna ishte nderim dhe përulje për bacën Adem Demaçi dhe veprën e tij. Zyra politike e UÇK-së është e pamundur të mendohet pa bacën Adem, ose ndryshe nga si ai e mendoi dhe e organizoi atë.
Milot Cakaj e nisi tribunën duke përmendur emrat e të gjithë të angazhuarve në zyrën politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke bërë vazhdimisht dallimin me atmosferën aktuale politike, Cakaj tha se, “baca Adem nuk kishte kurrfarë respekti për pushtetin”. Po ashtu, shtoi se në raport me vuajtjet dhe angazhimin e tij Demaçi kurrë nuk fliste për to falë një super-stoicizmi i cili la gjurmë të thella në shpirtin dhe kulturën e të gjithë të burgosurve politik. Për këto vuajtje dhe angazhime të pathëna, Cakaj e mbylli fjalën duke u shprehur se, ”ndoshta ka ardhur koha që tregimet të tregohen”.
Nazlie Bala lexoi letrën e Sylejman Selimit dërguar nga burgu i Dubravës, i cili rikujtoi hapjen e zyrës në periudhën më të vështirë të luftimeve, gjatë “ofensivës së shtatorit”. Gjeneral Selimi, po ashtu, ritheksoi se zyra pa Demaçin do kishte qenë e pamundur. Zyra në Prishtinë ishte vazhdim dhe zgjatim i luftës me mjete të tjera.
Për rëndësinë e zyrës, Prof.Hakif Bajrami u shpreh se, “aty është bërë një luftë origjinale për t’i dhënë krah atyre motrave dhe vëllezërve në luftime” dhe se “nuk duhet të harrojmë se sot po bëhet një luftë speciale për defaktorizimin e luftës legjendare të Kosovës me në krye Adem Jasharin”.
Në vazhdim të tribunës, Sylejman Ajeti tregoi historinë e takimit me Demaçin dhe rëndësinë e angazhimeve në zyrën politike përgjatë luftës.
Në fjalën e fundit, kryetari i Lëvizjes Albin Kurti renditi kronologjinë e ngjarjeve të rëndësishme para dhe pas hapjes së zyrës politike të UÇK-së. Për Kurtin, angazhimi në zyrë ka qenë një shkollë e vërtetë jetësore ku ka parë Demaçin të jetë gjithnjë, siç u shpreh ai, dialektik në metodë dhe historik si askush tjetër në vetëdije. Për rëndësinë strategjike dhe taktike të zyrës, Kurti shpjegoi ndërhyrjen vendimtare të konferencave, komunikatave, takimeve dhe qëndrimeve të bacës Adem që arritën të neutralizonin akuzat ndaj UÇK-së ku, “jo që nuk konsiderohej më as terroriste, por madje as ekstremiste”, u shpreh Kurti.
Ai e mbylli fjalën duke ripërsëritur bindjen politike se rruga e Demaçit është e drejta, e duhura dhe detyra për t’u ndjekur.