DYLON

Vetëvendosje: Me 11 qershor mundësia për ndryshim është Lëvizja Vetëvendosje

Vetëvendosje: Me 11 qershor mundësia për ndryshim është Lëvizja Vetëvendosje
Avatar photo Redaksia

Zgjedhjet e 11 qershorit janë zgjedhjet më të rëndësishme ndonjëherë në Kosovë. Në lidhje me zhvillimet dhe diskutimet e kohëve të fundit në prag të tyre, sot në një konferencë për media folën Kryetari i Lëvizjes VetëvendosjeVisar Ymeri dhe anëtari i Kryesisë, Glauk Konjufca.

Kryetari Ymeri tha se këto zgjedhje janë referendum kundër krimit e korrupcionit dhe kundër “Zajednicës” e Demarkacionit. Ai po ashtu theksoi se në këto zgjedhje ka qartësi, dhe ka vetëm një zgjidhje, e cila është Lëvizja Vetëvendosje.

“Tanimë, afati për koalicione ka përfunduar dhe Lëvizja është duke bërë përgatitjet e duhura që në këto zgjedhje të garojë e vetme. Pakica nominale në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje, është dëshmuar që ka pasur të drejtë. “Zajednica” dhe Demarkacioni ishin gabim. Nuk u zvogëlua papunësia dhe ikën 150.000 veta porsi nën okupim dhe nuk u luftua krimi i organizuar e korrupsioni institucional”, deklaroi Ymeri.

EkoHigjiena

Ai shtoi se Programi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe konsistenca politike e qëndrimeve dhe veprimeve na bëjnë ne subjektin më të besuar për transformim të Republikës, me luftim të krimit e progres shoqëror. E po ashtu konstatoi se gjithë ata që janë të gatshëm t’i bashkohen kësaj beteje për ndryshim rrënjësor kemi janë të mirëseardhur në takime.

“Ne kemi qenë zemërgjërë gjatë kohës së VLAN-it. Për shkak të posteve LDK iku. Kemi qenë po aq zemërgjërë gjatë kohës së VAN-it. Për poste AAK e Nisma ikën. Ne jemi infrastruktura e ndryshimit. Natyrisht që jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për ta ndryshuar Kosovën. Por përballë kemi njerëz me ambicie pushteti. Ata duan ta ndryshojnë jetën e tyre, edhe kur ky ndryshim shkon në dëm të Republikës, territorit, pasurisë, e popullit. Ata duan të jenë superstrukturë, e vendosur përmbi Republikën dhe kundër saj. Ne jemi infrastrukturë që garanton ndryshimin bashkë me popullin. Koalicionet e natës janë koalicione paniku”, tha tutje Ymeri, duke shtuar se ky panik është panik nga entuziazmi për ndryshim, i cili tashmë është rritur shumë te populli.

“Është frikë nga populli. Ky entuaziazëm është entuziazëm për Vetëvendosje-n. Krejt bashkë: Vetëvendosje me popullin do t’ia kthejë Kosovës Republikën e popullit dinjitetin dhe mirëqenien”, përfundoi Ymeri.

Kurse, Glauk Konjufca tha se se zgjedhjet e 11 qershorit kanë kuptim vetëm nëse janë mundësi për ta ndëshkuar politikën e keqe të koalicionit PDK-LDK. Ai shtoi se është parë qeverisja e ofruar nga këto parti, e cila nuk është zgjidhje për vendin.

“Zgjidhje për Kosovën është Lëvizja Vetëvendosje me konsistencën e saj, ajo e cila asnjëherë nuk e ka tradhëtuar interesin qytetar, ajo të cilës i janë ofruar shumë poste e nuk ka hyrë në koalicion me PDK-në, e cila natyrisht po ta kesh dëshirën dhe ambicien të ofron edhe postin e Kryeministrit. Mirëpo këto për Lëvizjen tonë kurrë nuk kanë ardhë në shprehje”, tha Konjufca.

Ai po ashtu tha se shpresë në këtë vend mund të ketë kur qytetari me votën e tij e ndëshkon qeverisjen e deritanishme, me ç’rast ftoi elektoratin e këtyre partve që janë të zhgënjyer t’i ndëshkojnë.

“Ka shumë qytetarë të zhgënjyer meqenëse kanë menduar se në vitin 2013 është shpresë LDK-ja. Ajo ua mblodhi votat qytetarëve të Kosovës duke premtuar që njerëzit që e kanë konstruktuar rrjetin e kapjes së shtetit, do t’i japin fund dhe do t’i çojnë në shtëpi. Ata jo që nuk e bënë këtë gjë, por iu bashkuan këtij rrjeti kriminal të kapjes së shtetit me qeverinë e Isa Mustafës në vitin 2014”, shtoi tutje Konjufca.

Qytetarët e Kosovës janë para një situate të qartë. Në njërën anë është PDK, e cila është përgjegjëse për gjitha problemet që Kosovës i kanë ndodhur pas pavarësisë së Kosovë. Nga ana tjetër e kemi LDK-në, e cila e ka djegur shpresën e popullit të Kosovës për shkak të ambicies për pushtet. Ka mbetur vetëm Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk është dorëzuar asnjëherë dhe i ka mbajtur me konsistencë parimet dhe qëndrimet e saj. Prandaj, shpresa e vetme dhe mundësia për ndryshim në zgjedhjet e 11 qershorit është vetëm Lëvizja Vetëvendosje.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.