/2L ONLINE/ – Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Gjilan e ka kritikuar kryetarin e komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin se po merret me politika të nivelit qendror dhe të tjera, dhe se ka harruar faktin që ai është kryetar i komunës së Gjilanit dhe ka përgjegjësi dhe duhet të punojë për qytetarët gjilanas.
Krenare Latifi – Kqiku, anëtare e Kuvendit komunal të Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kryetari i komunës Lutfi Haziri po vazhdon me retorikën e njëjtë se gjoja po i shlyen borxhet milionëshe të trashëguara nga pushteti i kaluar por pa dëshmuar se ka vullnet, guxim dhe gatishmëri që të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve për çka edhe e ka marrë besimin dhe ka obligim ligjor.
“U pa edhe në raportin e punës më shumëse një vjeçare të kryetarit Haziri se ai është marrë me politikat e mëdha të vendit duke i lënë në harresë punët e domosdoshme që ka para vetes si kryetar komune. Edhe pse jemi ne muajin e katërtë të këtij viti, si subjekt politik, si këshilltarë komunal nuk na është ofruar apo prezantuar asnjë plan për investimet kapitale vetëm se jemi të informuar nga mjetet e informimit se Kuvendi Komunal i Gjilanit ka aplikuar për një kredi. – Por duhet cekur se nuk është diskutuar në kuvend asnjëherë, nuk na është dhënë mundësia e diskutimit e aq më pak që të vendosin për një gjë te tillë”, ka thënë Latifi-Kqiku.
Asambleistja e Vetëvendosjes thotë se kryetari i komunës ka deklaruar se ato mjete do te investohen ne lumin e Stanishorkës dhe në Velekincë, por nuk ka prezantuar asnjë projekt konkret dhe se për investime të tilla duhet kaluar procedura të rregullta.
“Po ashtu edhe viti i dyte i qeverisjes së LDK-së karakterizohet me pasivitet të skajshëm dhe mungesë të investimeve kapitale në Komune. Prandaj ne si Lëvizje kërkojmë që udhëheqja komunale të fillojë me investime siç ka premtuar edhe gjatë fushatës elektorale dhe investimet të mos bëhen në formë selektive duke u bazuar në forcën politike siç ka ndodhur deri më tani në Komunën tonë”, ka thënë Krenare Latifi-Kqiku.
Ajo tha se qytetarët duhet të dinë se edhe në këtë vit qeverisës ka pasur shpenzime të mëdha, ka ndërrime të emërtimeve të shpenzimeve, etj. Sipas krahasimit të pagesave dhe të shpenzimit të qeverisjes Haziri, del se kjo qeverisje di të manipulojë me emërtime të ndryshme të llojit të njëjtë të shpenzimeve, për të prezantuar disa shembuj. Po ashtu aji pati vërejtje edhe tek mos inkasimi i mjeteve nga te hyrat vetanake sipas planifikimit të tyre,
“Ne si opozitë jemi të pakënaqur me punët e këtij pushteti andaj kërkojmë nga kryetari i komunës, kryesuesja e kuvendit dhe drejtoret komunal, t’i respektojë procedurat ligjore dhe të punojnë për interesat e qytetarëve të Gjilanit, të mos merren me politika megalomane dhe mashtruese”, ka thënë Krenare Latifi – Kqiku nga Vetëvendosje, për të shtuar se i inkurajojnë qytetarët që të jenë më vigjilent dhe t’i shprehin kërkesat dhe ankesat e tyre, për të gjitha padrejtësitë që po bëhen nga ana e këtij pushteti. /2L ONLINE/