Problemet e grumbulluara ndër vite të veteranëve të luftës së UÇK-së nga Komuna e Prizrenit kanë bërë që ata të humbin besimin tek institucionet dhe bartësit e tyre. Gjatë një debati të mbajtur në sallën e Komunës së Prizrenit, siç raporton “Koha Ditore”, ish-luftëtarët janë shprehur kritikë edhe ndaj angazhimit të drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës. Sipas tyre as institucionet e as udhëheqësit e veteranëve nuk kanë treguar përkushtim të mjaftueshëm për hartimin dhe miratimin e Ligjit për luftën e UÇK-së.
Ndërkohë kryetari i OVL-së, Muharrem Xhemajli, ka sqaruar se qëllimi i takimit me bazën është njoftimi me problemet e veteranëve, që deri më tani nuk janë trajtuar nga institucionet në mënyrë dinjitoze. “Lufta e UÇK-së nuk po njihet nga institucionet tona”, ka thënë Xhemajli, duke përkujtuar se kanë kaluar 15 vjet nga përfundimi i luftës dhe 6 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Sipas tij, ndonëse partitë politike thirren në vlerat e luftës dhe nëpërmjet tyre përfaqësohen në institucione, ato nuk kanë prodhuar zgjidhje që do të zbutnin gjendjen e rëndë të veteranëve, që përballen me sfidën e strehimit, telashet ekonomike, sociale e shëndetësore.
“Një qendër të rehabilitimit për veteranët ende nuk kanë arritur që ta krijojnë”, ka theksuar Xhemajli./kohanet/