DYLON

Veseli: Zhvillimi ekonomik duhet të jetë alfa dhe omega e gjithë aktivitetit tonë institucional

Avatar photo Redaksia

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në ceremoninë e themelimit të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive, e cila u mbajt sot në Prishtinë, organizuar nga Agjencioni i SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në partneritet me Qeverinë e Kosovës dhe donatorë të tjerë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari Veseli, fillimisht, shprehu kënaqësinë që Kuvendi i Kosovës ka aprovuar një ndër ligjet më të rëndësishme në fushën e zhvillimit ekonomik, siç është ai për inaugurimin e këtij fondi, ndërsa falënderoi përzemërsisht Qeverinë e SHBA-ve, përkatësisht ambasadën amerikane në Prishtinë dhe USAID-in, për mbështetjen e madhe në këtë drejtim.

EkoHigjiena

Veseli theksoi se edhe institucionet e Kosovës duhet të shtojnë përpjekjet për të nxitur potencialin tonë, i cili gjendet tek rinia, për të hyrë në botën e biznesit.

Ai tha se sfida themelore me të cilën ende ballafaqohet ekonomia jonë, është e ndërlidhur ngushtë me funksionalizimin dhe çlirimin e potencialit human dhe natyror. Funksionalizimi i potencialit njerëzor, shtoi kryetari Veseli, është ngushtë i lidhur me stimulimin e rinisë për të hyrë në biznes.

“Deri më tani ka qenë shumë e vështirë për një të ri në Kosovë të transformojë një ide biznesi në realitet të ndërmarrësisë, për shkak të qasjes së limituar në burimet e financimit. Duke pasur qasje në financa, njerëzit e talentuar do të jenë të motivuar edhe më shumë të mendojnë për biznes, pasi që realizimi i ideve të tyre do të jetë tanimë diçka e arritshme”, theksoi kreu i Kuvendit të Kosovës.

Duke lëshuar 4500 kredi të reja, për ndërmarrje të mesme dhe vogla (NMV) në gjashtë vitet e saj të parë të operimit, tha në vazhdim të fjalës së tij Veseli, me e efektin e rritjes do të kemi edhe 10,000 biznese tjera.

Këto kredi, sipas tij, do të rezultojnë me 360 milionë euro në financim të ri, i cili do të krijojë 20,000 vende të reja pune, të cilat do të mbështesin rritjen e prodhimit vendor dhe eksportit.

“Prodhimi dhe eksporti do të përmirësojnë bilancin tregtar dhe bazën e të ardhurave nga taksat. Në këtë mënyrë, ekonomia jonë rritet dhe shteti forcohet e bëhet më efektiv në ofrimin e shërbimeve të tij për qytetarët, rritjen e produktit dhe përmirësimin e jetës sociale. Kjo është rruga e zhvillimit real ekonomik që duhet të ndjekim. Zhvillimi ekonomik duhet të jetë alfa dhe omega e gjithë aktivitetit tonë institucional. Kemi humbur shumë kohë dhe energji në agjenda të padobishme. Të mos humbim edhe më shumë”, tha ndër të tjera në fjalën e tij kryeparlamentari Veseli, ndërsa shtoi se Kuvendi, së bashku me Qeverinë, do të jetë çdo herë në mbështetje të çdo iniciative e cila ka për qëllim rritjen e ndërmarrësisë, të produktit e të eksportit në Kosovë, si dhe zvogëlimin e papunësisë.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.