DYLON

Veriu që flet me zënin e dhimbjes: një thirrje që nuk duhet të heshtë më!

Veriu që flet me zënin e dhimbjes: një thirrje që nuk duhet të heshtë më!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Isuf B.Bajrami

Motër Adelina Marku ngre alarmin për gjendjen e rëndë në zonat e thella të Shqipërisë: “Shëndeti nuk mund të jetë fat, por e drejtë”.

EkoHigjiena

Ka momente kur fjala nuk është më thjesht fjalë. Bëhet dhimbje. Bëhet lutje. Bëhet thirrje që del nga thellësia e tokës dhe ngjitet deri te ndërgjegjja e një kombi të tërë.

Në Tiranë, në një protestë kombëtare, zëri i Motër Adelina Marku nga Mirdita nuk ishte thjesht pjesëmarrje në një tubim. Ishte jehonë e një Shqipërie tjetër — asaj që nuk shihet sa duhet, asaj që nuk dëgjohet sa duhet, asaj që jeton mes mungesës dhe durimit të gjatë.

Dhe ajo tha diçka që nuk mund të kalojë si fjali e zakonshme politike. Tha:

“Faleminderit Zot që prindërit e mi nuk sëmuren, sepse në veri, nëse të bie një sëmundje, ne mbetemi të pambrojtur.”

Në këtë fjali nuk ka vetëm një shqetësim personal. Ka një akuzë të heshtur. Ka një realitet që nuk kërkon interpretime, por përgjegjësi. Sepse kur një qytetar i këtij vendi lutet që shëndeti të jetë fat dhe jo e drejtë, atëherë diçka thelbësore nuk funksionon më si duhet në shoqëri.

A është kjo Shqipëria që u premtua për 36 vite rresht? A është kjo barazia që u përmend në programe, në fjalime dhe në premtime të përsëritura?

Në zonat e thella të veriut, jeta shpesh nuk matet me zhvillim, por me mbijetesë. Nuk matet me standarde, por me distancën deri te një mjek, me rrugët që nuk janë gjithmonë të hapura, me kohën që bëhet armik kur urgjenca troket në derë.

Dhe kjo nuk është vetëm çështje infrastrukture. Është çështje dinjiteti.

Sepse një shtet matet jo vetëm nga qendrat e tij të zhvilluara, por nga mënyra si i trajton skajet e tij më të largëta. Dhe nëse skajet ndihen të harruara, atëherë qendra nuk mund të quhet e plotë.

Motër Adelina Marku foli edhe për një tjetër realitet të dhimbshëm: për ndjenjën e një zhvillimi të pjesshëm dhe të pamjaftueshëm që nuk arrin të mbulojë plagët e vjetra.

“Veriu krenohet me disa gjëra të vogla që janë bërë, por kjo nuk mjafton. Pas 36 vitesh, nuk mund të jetojmë ende me mungesa bazike.”

Këto nuk janë thjesht fjalë. Janë pasqyrë. Janë reflektim i një gjendjeje ku përparimi shpesh duket si një ishull në mes të një deti nevojash të paplotësuara.

Në këtë kontekst, heshtja bëhet bashkëfajtore. Dhe harresa bëhet rrezik më i madh se mungesa.

Sepse mungesa shihet. Harresa nuk shihet — por ndihet çdo ditë.

Dhe ndoshta këtu qëndron edhe pesha më e madhe morale e kësaj historie: fakti që këto zëra nuk kërkojnë privilegje, por barazi; nuk kërkojnë mëshirë, por drejtësi; nuk kërkojnë premtime të reja, por kujdes të vërtetë.

Në fund, fjala e Gjergj Fishta ngrihet si një kujtesë e thellë shpirtërore mbi këtë realitet:

“Flamuri kombëtar nuk ka ç’ka ban ndër ne, po kje se dashtni nuk kem’ për Atdhe!”

Bibla,Proverbat 31:8-9

“Hap gojën për të pagjeturin dhe për të gjithë ata që janë të braktisur. Mbro të drejtat e të varfërve dhe të nevojtarëve.”

Dhe mbetet pyetja që nuk ka nevojë për retorikë, por për ndërgjegje:

Sa gjatë mund të jetojë një vend, kur një pjesë e tij ende lutet për gjërat më themelore të jetës?! /2LONLINE/

Vendi i Lekës,06.06.2026