Përfaqësues serbë nga veriu i Kosovës nuk u pajtuan me përfaqësuesit e BE-së për protokollin dhe caktimin e mbledhjes solemne të kuvendeve të katër komunave. BE nga ata ka kërkuar që në protokoll të jetë logoja e Kosovës.
Kryetari i Leposaviqit, Dragan Jablanoviq, ka thënë për Tanjug se BE ka kërkuar që në ftesat për mbledhjet solemne të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së veriut të jetë logoja e Republikës së Kosovës, gjë të cilën ata e kanë refuzuar.
“Tash kërkuan që logoja e Republikës së Kosovës dhe emblemës së Qeverisë së Kosovës, pos në ftesat për mbledhje, të jenë edhe në tekstin e betimit që duhet ta bëjnë kryetarët e komunave dhe asamblistët. Qëndrimi ynë është që dokumentet të jenë neutrale ose në të jetë vetëm ‘Kosovo*’ (me fusnotë)”, ka thënë ai.
Sipas tij, mbledhja solemne do të mbahet më 9 ose 10 janar, kur dhe është afati i fundit për konstatim kuvendesh komunale, trasmeton Koha.
Takimi me përfaqësuesit e BE-së është mbajtur në Mitrovicën e Veriut me dyer të mbyllura, ndërsa i pranishëm ishte edhe zyrtari për ndërlidhje i Qeverisë së Serbisë në Prishtinë, Dejan Paviqeviq.