Verifikimi i veteranëve, drejt fundit

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Smajl Elezaj, i ka quajtur të pamoralshme paralajmërimet për protestë të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së në rast se deri më 10 shkurt nuk përfundon verifikimi i veteranëve.

Në këtë bisedë për “Epokën e re”, Elezaj ka thënë se komisionit qeveritar për verifikimin e veteranëve të UÇK-së i është dashur kohë ta bëjë shqyrtimin e rreth 67 mijë aplikacioneve për veteranë. “Këshilli i vetëquajtur për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së mund të organizojë protesta. Është punë e tij. Për mua si kryetar i OVLUÇK-së është e pamoralshme që në këtë kohë t’i gjuhemi komisionit qeveritar që ka bërë verifikimin e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së për shkak se tashmë ka përfunduar gjithçka. Veteranët do t’i gëzojnë beneficionet, e jo të ballafaqohen me ndokënd. Është tepër e pamoralshme që thuhet se do të dalim të protestojmë për shkak se ky proces është kryer në mënyrë shumë të ngadalshme”, është shprehur Elezaj.

Ai ka treguar se janë në përfundim të verifikimit të listave të veteranëve të UÇK-së. “Procesi i verifikimit të veteranëve është në përfundim. Pa verifikuar ka mbetur diçka nga Brigada 114 ‘Fehmi Lladrovci’, ‘Vendlindja Thërret’ dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Dua të them se 99 për qind e verifikimit ka përfunduar. Tani mbetet vetëm verifikimi i ankesave të mundshme”, është shprehur Elezaj, duke shtuar se shqyrtimi i këtyre ankesave mund të marrë kohë një muaj. Ai ka bërë me dije se shumë shpejt do të mblidhet komisioni qeveritar për ta caktuar datën se kur do të publikohen listat e veteranëve. “Brenda 4-5 ditëve do ta kemi një takim, në të cilin do të vendosim edhe për datën e publikimit të listave”, ka deklaruar Elezaj, duke shtruar se shteti më i ri në Evropë do t’i ketë rreth 25 mijë veteranë të luftës çlirimtare. “Kosova do t’i ketë rreth 25 mijë veteranë të luftës së UÇK-së”, ka thënë Elezaj. Ai ka shtuar se procesi i verifikimit ka qenë mjaft i vështirë pasi, sipas tij, është dashur të shqyrtohen rreth 67 mijë aplikacione.

Kryetari i OVLUÇK-së ka thënë se të gjithë veteranët e papunë, në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, do t’i marrin pagat e tyre në mënyrë retroaktive që nga 1 janari i këtij viti. “Buxheti për veteranët është i ndarë. Siç e dini, Ligji për Veteranët e UÇK-së ka kaluar në Kuvend. Këtë ligj e ka nënshkruar edhe presidentja dhe do të hyjë në fuqi me të përfunduar verifikimi i listave të veteranëve. Ta zëmë se, nëse Ligji për Veteranët e UÇK-së hyn në fuqi kah mesi i marsit, atëherë veteranët do t’i marrin pagat në mënyrë retroaktive që nga 1 janari”, ka thënë Elezaj, duke u zotuar se asnjë veterani të UÇK-së nuk do t’i hyhet në hak.

KOMENTE