E kaluara e kombit tonë flet vet për jetën e vështirë dhe mbi të gjitha sakrificën e madhe që ka bë me shekuj, duke mos kursyer as bijtë e bijat më të mirë të tij që ne sot të ndjejmë veten të sigurt në hapat që i qesim sa do që të vegjël janë.
Shkruan: Fidan SHAQIRI
(2LONLINE) – Mënyra më e mirë që veprat e dëshmorëve të mos harrohet dhe të shkruhen me shkronja të arta, është duke i bindur gjeneratat e reja, se e ardhmja e tyre pa dyshim është të shohin përpara, por asnjëherë të mos harrojnë të kaluarën e lavdishme të të parëve të tyre.
Shumë herë shtrohet pyetja se si kemi arritur t’i mbijetojmë furtunave të kohës dhe pushtimeve të egra nga barbarë të ndryshëm, ku secili me metoda më të ulëta çnjerëzore është munduar të na asimilojë ose të na zhdukë nga faqja e dheut, por dëshmorët e shumtë nga periudha të ndryshme e pamundësuan arritjen e qëllimeve shfarosëse nga këta barbarë.
Edhe Komuna e Gjilanit krenohet me të kaluarën e saj dhe me sakrificën që ka bë, vendlindje e atyre që dhanë jetën pa e trembur syrin dhe pa menduar dy herë kur ishte në pyetje ekzistenca e kombit tonë. Për dikë prezenca e pushtuesve në vendin tonë nuk i linte edhe aq shumë përshtypje, por për atdhetarët dhe veprimtarët e shumtë të çështjes kombëtare, çdo qelizë e tyre trupore nuk i linte të rrinin anash dhe të shikonin se si po terrorizohej populli i pafajshëm dhe me të drejtë që të vendos për veten e tyre, i shtynë që të betohen para flamurit dhe idealeve që të përballojnë çdo pengesë e edhe nëse është në pyetje dhënia e jetës.
I tillë ishte edhe dëshmori i kombit Zija Shemsiu, i lindur në Përlepnicë të Gjilanit, i cili qysh herët filloi veprimtarinë e tij patriotike, duke rrezikuar jo vetëm veten e tij, por duke mos kursyer as familjes, me të vetmin qëllim që edhe vendi ynë të gëzoj lirinë. Fjalët janë të pakta krahas trimërisë së tij, duke dëshmuar me shumë forma të ndryshme, si ato të shkruara dhe të thënat e shokëve të tij. Armët që barte, u bën shkaktar të arrestimit të tij në vitin 1983, por edhe të vazhdimësisë së luftës së lavdishme që ndodhi në vitet në vazhdim, e që kishin si përfundim realizmin e ëndrrës së kamotshme për liri.
Fillimi i muajit maj sjell një kujtim të dhimbshëm nëpër atë që ka kaluar ky dëshmor me vite të tëra, ku barbarët serb përdorën mënyrat më çnjerëzore që ta thyenin personalitetin e tij prej sypatremburi dhe liridashësi, por nuk ia arritën qëllimit, sa që detyrohen ta vrasin në kazamatet e tyre tmerruese. Në anën tjetër jep një jehonë të gjithëmbarshme se liria ka lëshuar shkëndijat e saja. Këto fjalë thuhen në mënyrën më të mirë të mundshme nga bashkë veprimtarët e tij dhe trasuesit e lirisë.
Për të mos harruar veprën e tij të lavdishme, ne kemi obligim moral si shijues të lirisë, të kujdesemi për të ngritur sa më lart guximin dhe gatishmërinë e tij për të dhënë jetën në moshën më të mirë (në moshën 35 vjeçare bie dëshmosh) dhe më 5.5.2014 (e hënë), do të ketë manifestim për shënimin e 29 vjetorit të rënies heroike, duke u përulur para varrit të tij.
Në vendin e lindjes së tij, pra në Përlepnicë, me fillim nga ora 14:00 do të vendosen kurora te lapidari, pastaj homazhe te varri i tij, vizitë familjes Shemsiu dhe në përmbyllje do të ketë një akademi përkujtimore në Teatrin e Qytetit në Gjilan, ora 17:00, organizim nën patronatin e Komunës së Gjilanit.
Krahas veprës së tij, këto aktivitete as sa një fije floku nuk mund të paraqesin angazhimin e tij për çështjen kombëtare, por pjesëmarrja në përkujtimin e tij madhështon edhe më shumë guximin e Zijahut.
Dëshmorët trasuan rrugën për një të ardhme të ndritur të pasardhësve, pra fëmijëve tanë që t’i përkushtohen shkencës dhe zhvillimit të vendit, duke mos pasur brengë lirinë sepse këtë e bën trimat e shumtë në kohën e duhur./2lonline/