DYLON

Vepër dramatike me petk socio-idilik

Avatar photo Redaksia

(2LONLINE) – “Talia e flakës (gjithё)kombёtare, e cili mbahet njёherё, nё vit nё kuadёr tё Manifetimit shumёkulturor “Flaka e janarit”, këtë vit (2014) filloi me dramën  “Zonja me maskë” e autorit Osman Goranci e në regjinë e Fatmir Hysenit.

Që në fillim vlenë të citohet një fjalë e urtë popullore “Moti i mirë  shifet në mëngjes”, e cila  me siguri koincidon me  suksesin i cili do të vijë në formë gradacioni prej suksesit në sukses të rritjes së  efektit  dramatik, për të cilin nuk ka asfije dyshimi ngase të gjitha   trupat teatrore  kanë bërë zgjedhjen e vlerave që  do t’i paraqesin në këtë  manifestim.

EkoHigjiena

Pak fjalë për dramën “Zonja me maskë”

Drama “Zonja me maskë” paraprakisht është vepër e shpërblyer “me çmimin që  jepet për herë të parë e që mbanë emrin e krijuesit Beqir Musliu në Gjilan

Unë, duke  pasë konsideratë dhe besim në aftësitë seleksionuese të tre anëtarëve të jurisë, në bazë të suksesit që pati  në premierën e saj në Gjilan më datën  20. 01, 2014, dhe në kënaqësinë që ma afroi teksti i interpretuar nga Trupa e Teatrit Kombëtar të Gjilanit, shprehi admirimin tim.

Autori Osman Goranci, me dramën “Zonja me maskë”, lexuesve dhe trupave teatrore, ua ka afruar një tekst dramatik të përmasave  univerzale. i mbrujtur me figura  dhe tabllo ngjarjesh  të nxjerra nga metafora  duke e paraqitur lakuriqësinë e të gjitha atyre veprimeve devijante që janë aktuale kudo në rruzullin tokësor.

Sintetizimi i ngjarjeve të shkruara me një  përmbajtje lirike, tek lexuesi dhe spektatori, krijojnë një ndjenjë dhe emocion që të bën të mishërohesh me tërë qenien në rrjedhën e ngjarjes e cila pa dyshim se shkakton dhembje për pësimet e  personazheve në vorbullat e jetës e posaqërisht në shoqëritë në etapa kalimtare prej një rregullimi shoqëror në një  tjetër, ku padyshim vijnë edhe si rrjedhojë e papërgatitjes  së mjaftueshme për t’u përballuar  shtresave dhe mentaliteteve të ndryshme sociale.

Vrojtime e suksesesh

Gjilani një kohë të gjatë ka shërbyer  si ”shkollë letrare” në rezidencën e së cilës bën pjesë edhe teatri duke pasë parasysh të gjitha gjinitë dramatike. Që nga paralufta e  Dytë Botërore, kanë filluar nismat, të cilat kanë ardhur duke u rritur dhe duke krijuar interesim të madh tek shtresat e ndryshme shoqërore në Gjilan. Njëherë si teatër amator, pastaj si teatër gjysmëprofesional dhe tash si teatër  profesional.

Etapa e dytë kur teatri i Gjilanit konsiderohej si gjysmëprofesional e zuri vendin e parë në  ish Jugosllavi në Trebinje. Atëbotë, me ardhjen e Muharrem Shahiqit nga Shkupi dhe me angazhimin e tij  serioz e profesional, tuboi rreth vetes talentë të lojës skenike duke ia dhënë fizionominë e një teatri, i cili pretendonte në profesionalizëm. Vlenë të përmenden  talentë të njëmendt si Fetah e Ruzhdi Mehmeti, Xhevahire, Sabedin e Jashar Shahiqi, Muharrem Sylejmani, Mejreme Zeqiri, Nuhi  Matoshi, Naser Zymberi, Raif Haziri, Nexhmedin Ymeri, Hasan  Bunjaku (lektor) e shumë të tjejrë, të cilët  me vullnetin dhe talentin që i karakterizonte  thyen klishetë e  stereotipeve dhe teatrit i dhanë një autoritet që respektohej nga qytetarët. E tëra kjo,  gradualilsht ndikoi që Gjilani të ketë  publik që ia kanë lakmi edhe  kryeqytetet shqiptare si Shkupi, Tirana e Prishtina.

Drama “Zonja me maskë” pati fatin e premierës para këtij publiku, i cili u shkri  me ngjarjen e  thurur  artistikisht  e të luajtur mrekullisht nga trupa  profesionale e Teatrit Kombëtar të Gjilanit.

Si dukej shfaqja

Një mrekulli që të joshë, një ambient  i këndshëm, një log i një suksesi, ku do të luhej një lojë skenike – një dramë.

Luajtën: Safete Mustafa-Baftiu,  Gëzim  Bucolli, Sabedin Shahiqi, Mejreme Berisha, Tringa Hasani,  Njomëza Kalaveshi, Kenan Gurguroci,  Gyner  Halili, Durim Neziri dhe Bedri Abazi.

Do të thoja atë që më shkaktoi mbresë: Skena e punuar nga Bekim Korça e thjeshtë, moderne dhe shumë funksionale e cila korespondonte aq fuqishëm dhe artistikisht me  dritat, muzikën dhe lojën. Muzika e zgjedhur nga  Florim Gagica të cilës po t’i hiqej loja skenike do të shërbente si një koncert shumë i pranueshëm dhe i duartrokitur nga një publik i zgjedhur, dritat dhe efektin që dhanë ato të dirigjuara anga  Fatmir Halili, kryen funsion kolektiv duke  i dhënë  një atmosferë që  rrallë herë ka shkaktuar  efekte emocionale si  ato çaste artistike të shfaqjejs së  dramës “Zonja me maskë”.

Aktorët bënë lojë kolektive. Megjithatë në rastin konkretë do ta veçoja Gëzim Bucollin, i cili mundi t’i qëndrojë stoik  gjithë shfaqjes prej fillimit e deri në fund – në skenë. Ai ishte  trungu  kurse aktorët tjerë degët e tij secili (a) në funksion të lojës dhe interpretimit.

Gëzim Bucolli nuk e pati lehtë sepse loja e tij  përbëhej  prej  gjendjes  “i dehur” dhe  në atë “esull”  të cilave ia doli që me anë të ngjyrës së zërit , gjestikulacioneve dhe funsionalitetit ta arrumbullaksojë me sukses.

Është shumë mbresëlënëse aftësia e aktoreve që luajtën rolet  “e tyre”, rolet që ua imponon teksti, dhe pamarrë parasysh se çfare ishin  ato  dhanë kreativitetin  e duhur  në frymën e asaj që quhet jetë dramatike

Aktorët me forcën e tyre interpretuese e fuqizuan prolemin, i cili kërkon edhe dorën e pushteti për t’i luftuar e për t’i  frenuar por se fuqia  artit dramatik, besoj se e ka kryer  rolin edukativ tek të gjithë ata që kanë qenë  të orientuar me ndjenja dhe emocione kah skena e hapur ku doi roli edukativ  që ia ka dhënë  autori Osman Goranci dramës së tij.

Regjia, vepër e dytë

Realisht është thënë se regjia është vepër e realizuar nga vepra e një autori. Ai është timonieri i shfaqjes. Drama lëvizë me planimetrinë regjisoriale.

Kjo dramë pati fatin  ta ketë një regjisor me përvojë dhe aftësi  profesionale Fatmir Hysenin dhe ASS regjisor Muharrem Sylejmanin. Pa e anashkaluar  regjisorin  më duhet të them se Muharrem Sylejmani edhe si aktor  në role të ndryshme në dramë, tragjedi e posaçërisht në komedi ka treguar aftësi të cilat do t’i quaja  dhunti. Por edhe si regjisor  ka vënë në skenë, me sukses të madh e të mirëpritur nga publiku, edhe drama edhe komedi.

Forcat e dy profesionistëve, me përgatitje shkollore edhe me përvojë të gjatë në këtë fushë arti ka bërë  që regjia e dramës “Zonja me maskë” ta arrij efektin e pritur   jo vetëm nga publiku por edhe tek vetë regjsorët.

Për këtë garanton vetë publiku i cili gjatë gjithë shfaqjes ishte “i ngjitur për karrige” pa lëvizur dhe pa bërë asnjë lëvizje që  do ta pengonte spektatorin që e ka afër.

“Ku shtrohet sofër ka edhe troha”

Jo vetëm në Gjilan, por  gjithandej Kosovës teatrot, qoftë amatore, apo profesioniste nuk i kanë punët mirë as me lokal, as me mjete përcjellëse, as me të ardhura personale. Rroga edhe ato simbolike, nuk i marrin me kohë. Por vullneti i tyre i  madh për të vënë në skenë vepra dramatike, na mundëson që të kemi  fatin të kemi teatër – fatmirësisht apo fatkeqësisht ashtu siç janë e siç ua ka mundësuar shoqëria.

Nga kushtet reale të teatrove, në rastin tonë, Teatri kombëtar i Gjilanit  të çalojë edhe  në mungesë të ndonjë profesionisti ,dhe, në mungesë të tij të regjistrohet edhe ndonjë e metë profesionale, e cila dëmton ose e zbeh suksesin kolektiv të trupës.

Krahas shumë sukseseve, padyshim inkurajuese, të trupës së  TKGJ u vërejtën  gabime  gjuhësore në theks, në morfologji dhe sintaksë, por jo në atë masë për t’u ankuar shumë. Trupa e çdo teatri duhet ta ketë edhe lektorin, i cili profesionalisht do ta ndihmonte që kultura e të folurit të jetë në nivel të standardit të gjuhës shqipe. Bile  të jetë shembull se si flitet dhe shqiptohet  drejt, bukur dhe pa gabim.

Në debatin që u mbajt pas shfaqjes së dramës “Zonja me maskë”,  nga disa profesionistë u tha se aktorët e kanë pasur lirinë e të shprehurit individual, por, unë mendoj se po t’ishte respektuar standardi i gjuhës, drama do të dilte më e mirë, më e kompletuar dhe  do ta plotësonte dëshirën e autorit me që ai dramën e ka të shkruar në gjuhën standarde shqipe.

Përfundim

Trupa e Teatrit Kombëtar  të Gjilanit, në kuadër të Manifestimit shumëkulturor “Flaka e janarit” dha një shfaqje  me shumë sukses dhe admirim kur i kemi parasysh kushtet  e rënda materiale që e kanë përcjellur dhe po e përcjellin këtë teatër vite me radhë. E vunë në skenë një dramë e cila paraprakisht u zgjodh dhe u shpërblye  me shpërblimin e krijuesit Beqir Musliu.

Angazhimi serioz, duke u bazuar në aftësitë profesionale të secilit  aktorë dhe  të angazhuar tjerë, në detyra të ndryshme,  në fushën e kompletimit të  shfaqjes, bëri që   “Talia e flakës 2014” ta tregojë seriozitetin, shprehjen e aftësive në akatrim, regji, muzikë, skenografi etj dhe spektatorëve  të mrekullueshëm gjilanasë t’u afrojë një shfaqje  bashkëkohore, një shfaqje që  vë në spikamë veprimet devijante  duke e nxjerrë në pah qëllimin edukativ të dramës në luftimin e veprimeve të ndryshme negative.

/Hysen KËQIKU/