Vendimet tona udhëhiqen nga parimet!
Shpresa Kurteshi Emini – /anëtare e kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e LDK-së/
Së fundmi, kemi parë një valë spektaklesh politike në rrjetet sociale, të shoqëruara me thirrje drejtuar kuvendarëve në Gjilan për votimin e buxhetit për vitin 2025. Këto përpjekje për të ushtruar presion publik nuk përbëjnë asnjë shqetësim për LDK-në, pasi qëndrimet tona nuk ndikohen nga zhurma mediatike, por ndërtohen mbi parime të qarta politike, profesionalizëm dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.
LDK ka treguar vazhdimisht se është një forcë politike e vetëdijshme dhe e matur në çdo vendim që ndërmerr. Kundërshtimi i projekteve buxhetore të hartuara dobët nuk është një akt bllokues, por një përgjegjësi politike dhe morale ndaj qytetarëve të Gjilanit. Si shembull, kemi refuzuar mbështetjen për projekte që janë formuluar pa transparencë, pa analizë të duhur të ndikimit ekonomik dhe pa përfshirjen e komuniteteve lokale në vendimmarrje.
Qëndrimet tona janë të harmonizuara dhe të dakorduara në mënyrë të qartë brenda ekipit tonë. Çdo vendim i ardhshëm do të marrë në konsideratë nevojat reale të qytetarëve dhe jo kalkulimet politike afatshkurtra. Për ne, nuk ka kompromis kur bëhet fjalë për mirëqenien e qytetarëve të Gjilanit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunës.
LDK nuk do të bie pre e presioneve politike, spektakleve mediatike apo përpjekjeve për manipulim publik. Ne do të vazhdojmë të udhëhiqemi nga parimet e transparencës, profesionalizmit dhe interesit qytetar dhe çdo hap i yni do të jetë në funksion të së mirës së përbashkët, jo për përfitime të ngushta politike. /2LONLINE/
