DYLON

Vendime tepër të rënda kundër “Vëllazërisë Muslimane” në Egjipt!

Avatar photo Redaksia

Shkruan: Dr. Mustafa Bajrami

/2L ONLINE/ – Gjykata e Larte e Kajros dje dënoi me vdekje (varje në litar) 13 udhëheqësit më të lartë të lëvizjes “Vëllazëria Muslimane” (Ihvan), si dhe Muhamed Bediun, liderin e saj si dhe njëri ndër dijetarët më me zë në botën Islame. Përveç tij, kjo gjykatë dënoi me burg të përjetshëm edhe 37 udhëheqës të tjerë të lëvizjes.

EkoHigjiena

Kur dy vite më parë Muhamed Mursi erdhi në krye të shtetit me votën e lirë të qytetarëve, ushtarakët e Luginës së Faraonëve ishin revoltuar për së tepërmi. Një vit më pas, Xhunta ushtarake kishte nxitur protesta masive dhe pas disa muajsh demonstrata të përgjakshme, mori pushtetin me dhunë dhe filloi burgosjen e qindra përkrahësve të Lëvizjes. Dihet mirëfilli, gjeneralët egjiptas mbajnë në duart e veta thuajse tërë monopolin e pasurisë së vendit. Paraja është e ushtarakëve dhe e familjarëve të tyre. Fill pas rrëzimit të Muhamed Mursit dhe burgosjes së tij, pasuan protesta masive në tërë Egjiptin. Me 14 Gusht të vitit 2013 në sheshin Rabia el-Adevije, pas dy muajsh protesta të përkrahësve të Mursit, ushtria egjiptiane për pak orë vrau afër 30 mijë protestues, duke i masakruar nga ajri dhe toka. Predhat nga helikopterët që po binin mbi qytetarët e pafajshëm copëtuan kufomat deri në atë masë sa mbi 20 mijë viktima nuk njiheshin nëse kishin qenë trupa njerëzish apo copëza mishi të shkapërderdhura gjitha andej sheshit. Ajo ditë, në historinë e Egjiptit konsiderohet ndër më të kobshmet që nga koha gjakatare e faraonëve.

***
Arabia Saudite e Fahdit mbret, tani i vdekur, financiarisht kishte mbështetur grusht-shtetin egjiptian me 500 milion dollarë, ndërsa politikisht, dora e zgjatur saudite në Egjipt, partia vehabiste “el-Nur” çmonte lart grusht-shtetin e xhuntës, burgosjen e Muhamed Mursit e më vonë miratoi njëzëri vet-shpalljen e vrasësit el-Sisi, për kryetar të Egjiptit. Shumë shtete perëndimore mjaftuan me dënimin e dhunës dhe me thirrjen për paqe mes palëve ndërluftuese. Deri më sot, edhe pas dy vite nga ato ngjarje të përgjakshme, Turqia ende nuk ka njohur qeverinë e re egjiptiane dhe as që pranon të marrë pjesë në cilin do takim ndërkombëtar ku eventualisht mund të jetë prezent “CC”-i i Egjiptit. Nuk mbahet mend, nëse qeveria e Kosovës të kishte dalë me ndonjë qëndrim të caktuar karshi dhunës të përgjakshme në sheshin Rabia el-Adevije.

***
Lëvizja “Vëllazëria Muslimane” është themeluar nga Hasan el-Benna (1906-1949). Më vonë udhëheqjen e saj e merr Sejid Kutbi, njëri ndër tre komentatorët më të njohur të Kuranit, autori i dhjetëra librave me zë, si dhe njëri ndër interpretuesit më të mirë të religjionit dhe të asaj që tani po quhet “islami politik”. Edhe ky i fundit, sikur shumë udhëheqës të tjerë të Vëllazërisë Muslimane do të dënohet me vdekje. Përderisa po qëndronte për një vizitë miqësore në Moskvë Xhemal Abdul Naser, ish presidenti egjiptian, mik i afërt e Titos dhe i udhëheqjes serbe të asaj kohe, me vendim të përshpejtuar të gjykatës ushtarake, Egjipti varri Sejid Kutbin në sheshin Tahrir të Kajros.

Është i njohur momenti i ekzekutimit të Sejid Kutbit. Sipas traditës islame, për tu vërtetuar nëse viktima ende pranon se është dhe donë të vdes si mysliman, i dënuari me vdekje duhet të dokumentoj myslimanizmin e vet me recitimin përmendësh të shehadetit, formulës islame të dëshmisë. Në këtë rast, imami i autorizuar nga gjykata, kërkon nga i dënuari recitimin e asaj formule. Përderisa përgatitej Sejid Kutbi për varje, teksa mbështillej litari përreth qafës së tij, ky i fundit njohu si nëpër mjegull imamin e autorizuar që i qëndronte përballë. Ishte njëri ndër nxënësit e tij të dikurshëm, që si fëmijë ia kishte mësuar dëshminë e shehadetit. Rregulli rregull dhe ligji ligj. Në kërkesën e imamit që Sejid Kutbi të recitonte përmendësh shehadetin, nëse e dinte dhe të dëshmonte me gojë, nëse ishte musliman, viktima, ish mësuesi i nxënësit të dikurshëm e që tani imam i autorizuar i pushtetit, përgjigjet: Po kërkoni nga unë, komentator i Kuranit, mësues yti që të kisha mësuar abc-në islame në di apo në dua të lexoj shehadetin? A nuk sheh se unë po varem sot pikërisht sepse të tjerëve u mësova këto fjalë dhe u shpjegova domethënien e shehadetit?

***
Sipas arsyetimit zyrtar të vendimit të gjykatës së Kajros varja e 4 udhëheqësve të lartë si dhe burgu i përjetshëm i 37 të tjerëve erdhi si rezultat i pas ngjarjeve të kobshme të 14 Gushtit, ku Vëllazëria Muslimane paskësh planifikuar kaosin në vend, bombardimin e stacioneve të policisë, kasarneve të ushtrisë, vënien flakë të xhamive, shembjen e universiteteve si dhe vrasjen e shumë udhëheqësve të Egjiptit. Edhe pse gjykata egjiptiane mori në vendim të tillë, ekzekutimi i atij vendimi varet shumë nga qëndrimet e shteteve të mëdha dhe faktorëve ndërkombëtar.

Ngjarjet si kjo e fundit në Egjipt, edhe më tutje reflektojnë gjendjen e përgjithshme në Lindje të Mesme. Atje, sikur rrallëkund në botë, dhuna nuk di të ndalur. Shoqëritë arabe po jetojnë në një kaos të paparë. Izraeli, që është i rrethuar nga këto vende të tendosura politikisht e fetarisht po ndjehet jo fort i sigurt për të ardhmen e vet. Marrëveshja e fundit e nënshkruar mes Iranit dhe disa vendeve perëndimore, për Izraelin, Arabinë Saudite dhe satelitet e saj nuk duhet të jetë aq e kënaqshme, por as e pranueshme. Atje, aty pra nga ku dolën profetët e paqes ende po vie erë lufte. Mesazhi hyjnor i çiltër që duhej të ishte i tillë edhe në praktikë, edhe më tutje rri i strukur nën valën e vrasjeve dhe dhunës që po bëhen në emër të fesë. Varjet që do të pasojnë në Egjiptin e Sisit dhe shumë vrasje të tjera nëpër Lindje të Mesme janë argumenti më i mirë se pikërisht ata njerëz, të atjeshëm, duhet të kuptojnë dhe reflektojnë mesazhin paqedashës që e thërrasin fetë e tyre. /2L ONLINE/