Vendi i tyre nuk është në rrugë
Shkruan: Ardian Azemi
Një nga dështimet më të mëdha të institucioneve tona është mungesa e trajtimit dhe akomodimit adekuat për personat me probleme të shëndetit mendor.
Në qytete të ndryshme të Kosovës vazhdojmë të shohim njerëz të lënë në mëshirën e fatit, pa përkujdesjen profesionale dhe mbështetjen që u nevojitet. Shumë prej tyre enden rrugëve, ndërsa jo rrallëherë raportohen raste të sjelljeve agresive që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve, përfshirë edhe fëmijët. Kjo nuk është vetëm çështje e rendit dhe sigurisë publike, mbi të gjitha është një çështje dinjiteti njerëzor.
Si shoqëri kemi detyrim moral t’u ofrojmë mirëkuptim, respekt dhe ngrohtësi njerëzore këtyre personave. Ata nuk janë fajtorë për sfidat me të cilat përballen. Mirëpo, përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet, të cilat duhet të sigurojnë trajtim profesional, strehim adekuat dhe kujdes të vazhdueshëm për secilin prej tyre.
Vendi i tyre nuk është në rrugë. Vendi i tyre është në institucione të specializuara, ku marrin trajtimin, mbështetjen dhe kujdesin që meritojnë. Nuk duhet t’u mungojë asgjë atyre që kanë nevojë për ndihmën e shtetit dhe të shoqërisë.
Në vend që miliona euro të shpërndahen në projekte me prioritet të diskutueshëm si shpërndarja e milionave për diasporën e cila fare s’ka nevojë për kēto para, do të ishte shumë më e drejtë që ato mjete të investoheshin në shëndetësi dhe veçanërisht në shërbimet e shëndetit mendor.
Mënyra se si një shtet kujdeset për kategoritë më të pambrojtura të shoqërisë tregon nivelin e vërtetë të humanizmit dhe përgjegjësisë së tij. /2LONLINE/
