Vëhet gurthemeli edhe për dy shtëpi për familjet në nevojë në Gjilan
/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga Fejzulla Mustafa, pronar i Fabrikës së Fluidit kanë vënë gurthemelin për ndërtimin e dy shtëpive nga ky donator të premtuar në mbrëmjen humanitare ”Pak nga ne shumë për ata” që është organizuar vitin e kaluar nga Komuna e Gjilanit.
Me këtë rast kryetari Haziri ka thënë se në këtë ditë të premte të shenjtë, pronari i Fluidit, ka gëzuar dy familje të Komunës së Gjilanit që ishin pa kulm mbi kokë.
”Këto dy familje me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale sot në këtë ditë të shenjtë po marrin gëzim të madh me vënien e gurthemelit për ndërtimin e shtëpive të tyre. Secili ka nevojën për ambient të ngrohtë dhe për shtëpi. Unë në emër të Komunës falënderoj donatorin për zemërgjerësinë dhe mbështetjen që i ka dhënë nismës së Komunës së Gjilanit”, tha kryetari Haziri, duke apeluar që të vazhdohet me ndërtim dhe ndihmë për njëri – tjetrin, sepse ky muaj edhe ashtu e ka shenjën dhe qëllimin e solidaritetit për t’i ndihmuar skamnorët.
Nga ana e tij Fejzullah Mustafa, pronar i Fabrikës Fluidi, ka thënë se jemi deklaruar më parë për këtë mbështetje dhe sot ishte radha që të nisen këto shtëpi.
”Ne kemi premtuar ndërtimin e shtëpive për familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale dhe sot këto dy familje po e shohin nisjen e punëve për këtë qëllim. Është koha e duhur dhe janë rastet e duhura për t’ua zgjidhur problemin e banimit. Jemi përcaktuar për këto raste të cilat ishin në gjendje shumë të rëndë”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se si kompani, përherë janë dhe do të vazhdojnë përkrahjen për familjet në nevojë.
”Urime familjeve dhe u pafshin në përurim e shtëpive dhe ndjehem mirë që dimrin këto dy familje do ta kalojnë me banim dhe ngrohtësi”, ka përfunduar Mustafa.
Ndërsa kryefamiljaret Mehreme Krasniqi dhe Valbona Lutfiu, ishin falënderuese për këtë mbështetje të fuqishme të Komunës së Gjilanit dhe të kompanisë Fluidi, duke shtuar se gjendja e tyre, jeta në përgjithësi, nga sot ka nisur të ndryshoj për së miri, për ato si kryefamiljare dhe për fëmijët e tyre. /2L ONLINE/
