Imer Topanica
Pa e përshkrue në tanësi rrjedhën e edicionit të sivjetmë të Festivalit të Letërsisë në Orllan-FLO-së (prezencën e personaliteteve të njohuna prej botës së poezisë si Skender Sherifi etj), por vetëm tue u ndalë te nji detaj, faktin që këtë edicion qe privilegj me e njoftë nji poet si Jazra Khaleed, do të nxirrnim përfundimin të cilin vet organizatorët e kanë synue, suksesin e radhës të festivalit në fjalë. E kur jemi te poeti grek, mjafton me e lexue ndonji varg prej ndonji poezie të tij dhe me e hetue shpresën, kambëngulësinë, guximin dhe përgjithësisht forcën shprehëse të vargut, të shpërthej me kryeneçësi aty. Ky mysafir i rrallë, asht mbase, shembulli ma i mirë me të cilin mund ta nisim por edhe përmbyllim tregimin për këtë edicion të FLO-së. Vargu i tij pluskon prej motiveve sociale e politike, deri tek rebelizmi i skajshëm, respektivisht lufta kundër shtetit oligarkik. Urdhëroni e shijoni pak prej thesarit të Khaleed-it dhe përjetojeni të njëjtën ndiesi, sikurse ne:
Refren
Emnin e kam J-A-Z-R-
Këtu jam ilegal, përkundër t’majtës
U linda n’muzgun e Perëndimit
Dhe kjo mbrëmje asht bash për mrekulli
Me dërrmue krena fashistësh
Jazra Khaleed
Përveç Jazra Khaleed-it, e Skender Sherifit pjesëmarrës të tjerë qenë edhe: Primo Shllaku, Kujtim Paçaku, Ana Kove, Lulzim Haziri, Shpëtim Selmani e Ndriçim Ademaj. Po ashtu sikurse në edicionet e tjera, gjithë aktiviteti poetik ka qenë i sinkronizuem me muzikë, për të cilën janë përkujdesë John Dran e Marco Farris.