Presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, ka ndërruar jetë në moshën 95 vjeçare. Njoftimi është bërë nga presidenti aktual i Afrikës së Jugut. Mandela, ka udhëhequr me tranzicionin në Afrikën e Jugut pas udhëheqjes së vendit nga minorititeti i bardhë. Pas 27 vitesh qëndrimi në burg, Mandela ka ardhur në krye të vendit në vitet e 90-ta.
Kohëve të fundit, Mandela po kurohej në shtëpi pas trajtimit në spital për më shumë se tre muaj, shkaku iI një infeksioni në mushkëri.
Në një deklaratë për televizionin kombëtar të Afrikës së Jugut, presidenti i vendit, Jacob Zuma, ka thënë se Mandela ‘është larguar’ dhe se po prehet në paqe.
‘Kombi ynë ka humbur një nga djemtë e tij më të mëdhenj,’ ka thënë Zuma.
Laureati i Çmimit Nobel për Paqe ishte njëri ndër burrështetasit më të nderuar në botë dhe njihej për predikimin e pajtimit ndërmjet njerëzve e kombeve.
Që prej vitit 2004, kur u pensionua zyrtarisht, ai shihej shumë rrallë në publik.
‘Vëllezër jug-afrikanë, Nelson Mandela na ka bashkuar dhe kështu së bashku do t’i japim atij lamtumirën e fundit. Tek ai kemi gjetur atë që kemi kërkuar brenda vetes sonë,’ është shprehur Zuma.
Presidenca aktuale e Afrikës së Jugut e kishte përshkruar vazhdimisht gjendjen shëndetësore të Mandelas si kritike, por të qendrueshme. Ai ka marrë përkujdesje intensive në shtëpinë e tij, që kur u nxor nga spitali në muajin shtator.
Mandela është vlerësuar me çmimin Nobel për Paqe në 1993, si dhe u zgjodh si president i Afrikës së Jugut, i pari me ngjyrë, në vitin 1994. Ai dha dorëheqjen vetëm pas 5 vjetësh në këtë post.