Nga raporti i gjendjes perinatale në Kosovës për vitin 2013, thuhet se ka rënë dukshëm numri i vdekjeve të foshnjave dhe nënave. Gjatë vitit 2013, vdekshmëria maternale në Kosovë ka qenë zero, që do të thotë se nuk është raportuar asnjë rast i vdekjeve maternale (vdekje e nënave gjatë lindjes dhe deri në dyzet ditë pas lindjes), ndërsa vdekshmëria perinatale ka shënuar rënie për 2.2 promila, krahasuar me vitin 2012 (nga 17.34 promila në 15.14 promila), derisa vdekshmëria fetale, ka shënuar rënie prej 0.7 promila në krahasim me vitin paraprak, apo prej 9.81 në 9.13 promila
Ky raport është prezantuar nga Ministria e Shëndetësisë në partneritet me agjencitë e Kombeve të Bashkuara që veprojnë në Kosovë: UNFPA-UNICEF –OBSH, dhe përkrahur nga Qeveria e Luksemburgut.
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani tha se këto rezultate pozitive në këta indikatorë tregojnë se Ministria e Shëndetësisë e ka prioritet shëndetin e nënës dhe fëmijës në kuadër të reformës me qëllim të arritjes së synimeve dhe zotimeve për shëndetin më të mirë të nënave dhe fëmijëve.
“Zero vdekje maternale gjatë vitit 2013 është një e arritur e jashtëzakonshme, ndërsa reforma shëndetësore që e kemi filluar do ta ketë në qendër të vëmendjes shëndetin e nënës dhe fëmijës. Me formimin e Shërbimit Profesional të linjës do të ndikohet në përmirësimin e mëtejmë të indikatorëve në këtë fushë”, tha Ministri Agani, duke theksuar se sfidë mbetet koordinimi i shërbimeve midis niveleve të kujdesit shëndetësor dhe ngritja e mëtejme e kualitetit të shërbimeve.
Ndërsa Laila Omar Gad, shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, tha se shkalla e vdekshmërisë së nënave dhe foshnjave është refleksion i shërbimeve shëndetësore të çdo shteti, ndërsa theksoi se në nivel global shumë fëmijë dhe nëna vdesin si pasojë e shkaqeve të ndryshme që lidhen me mungesën adekuate të kujdesit gjatë shtatzënisë, vizitat jo të rregullta mjekësore, kujde sit jo adekuat gjatë lindjes dhe pas lindjes, etj.
Gad tha se Zyra e UNICEF-it në Kosovë do të jetë e përkushtuar edhe më tej që të ndihmojë MSh-në dhe institucionet shëndetësore në zvogëlimin e mëtejmë të vdekshmërisë perinatale, duke iu përmbajtur zotimit global me qëllim të fuqizimit të kapaciteteve profesionale dhe zbatimit të praktikave më të mira në kujdesin shëndetësor ndaj nënës dhe fëmijës.