Përkthimi i veprave të Ibrahim Kadriut
“Vdekja e Anilës” dhe “Misioni Rus” në gjuhën frënge
Shtëpia botuese ST HONORÉ – PARIS, më 15 tetor 2021, e nxori nga shtypi romanin “VDEKJA E ANILËS” në gjuhën frënge të shkrimtarit të mirënjohur Ibrahim Kadriut, ndërkaq më 9 nëntor 2021, shtëpia botuese, ÉDITION BAUDELAIRE – LYON, po njashtu ne gjuhën frënge, e nxori nga shtypi romanin “MISIONI RUS”.
Me rastin e botimit edhe në gjuhen frënge po ofrojmë rezymetë e këtyre dy veprave të cilat në gjuhen shqipe janë pritur jashtëzakonisht mirë.
Po shënojmë me këtë rast se, deri tash, librat e këtij autori janë përkthyer në nëntë gjuhë të ndryshme.
“ VDEKJA E ANILES” (LA MORT D’ANILA), është një roman përtej çdo pritjeje, e sidomos për gjeneratat që nuk e kanë përjetuar sistemin monist.
Ky roman paraqet kontradiktat sociale në mjedisin e një qyteti në epokën moniste ku secila lëvizja përqendrohej, studiohej dhe ndiqej nga organet e shtetit (policor), ku atmosfera e hidhur politike krijonte marrëdhënie njerëzore, kur në sistemin e përgjimit vëllai akuzon vllanë… Anila, një gjimnaziste, e bukur, e qete, është viktimë e një atmosfere policore nën pretendimet sipas të cilave ajo lexon libra të ndaluar nga sistemi. Anila, e gjetur e vdekur afër një lumi, përkatësisht e mbërthyer në degët e shelgut të zbritur gjer në sipërfaqen e ujit, ndikon në personazhet të karaktereve të ndryshme… Në vendngjarje shfaqet Gani Shyti, një gjimnazist, i cili kishte detyrë të veçantë nga ana e Sigurimit, për të ofruar libra të ndaluar për studentët dhe denoncimin e tyre.
Ngjarja zhvillohet me një dinamikë plot kthesa, kur dyshimi bie mbi Gani Shytin, por, pasi u gjetë një kufomë e një emigranti afgan, Gani Shyti u shpallë i vdekur duke e identifikuar me kufomën e gjetur. Varrimi i “tij” u zhvillua, për ta fshehur pastaj në Beograd ku do të trajnohej si oficer policor profesionist e vrasës.
***
Romani MISIONI RUS (MISSION RUSSE), është frymëzuar nga ngjarjet reale të luftërave ballkanike dhe pushtimit të Kosovës nga ushtria serbe. Romani dëshmon përfshirjen e misionarëve rusë në ushtrinë serbe. Ky roman mbështetet në ngjarje të vërteta të kohës, përkatësisht të
pushtimit të Kosovës nga ana e ushtrisë serbe në krye me gjeneralin Bozhidar Jankoviq, më 1912 dhe për depërtimin e ushtrisë serbe në Shqipëri drejt bregdetit Adriatik.
Rusia, në qendrat e saja të veçanta, formonte kuadro të profesioneve të ndryshme dhe më pas i dërgonte në shtetet që ajo ëndërronte të dominonte. Të përgatitur mirë, ushtarët rusë flisnin gjuhë të rajoneve ku ishin dërguar, kishin njohuri të mira të traditave dhe vishnin gjithashtu kostume tradicionale, në varësi të rolit që u ishte caktuar.
Në roman dëshmohet angazhimi i misionarëve rus në ushtrinë serbe, por edhe në forma të tjera të ndikimit në masë, siç janë qendrat fetare myslimane, xhamitë, për çka janë përgatitë rusët, siç është rasti i hoxhës në xhaminë më të madhe të Prizrenit i cili për njëzet vjet kishte kryer misionin fetar pa e ditë xhemati se ishte rus.
Në këtë libër, pos vuajtjeve e tragjedive që tejkalojnë imagjinatën e njeriut, e gjen vendin e saj edhe një humaniste e madhe angleze, Miss Durham, si edhe shumë të tjerë. /2LONLINE/