Vazhdon bllokimi i Rektoratit nga një grup studentësh të cilët kanë thënë se pa iu realizuar kërkesat e tyre nuk do të ndalen. Studentët e Lëvizjes për Studim, Kritikë e Veprim, kanë vendosur të qëndrojnë edhe sot në hyrjen e Rektoratit, duke bllokuar kështu punën e këtij institucioni. Kërkesat vazhdojnë të jenë të njëjtat, edhe pas vendimeve të Senatit dhe Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.
Pak para orës 8, ata kanë kaluar rrethojat e Rektoratit dhe e kanë bllokuar hyrjen e ndërtesës së Rektoratit. Studentët protestues theksojnë se nuk do të ndalen së protestuari deri sa rektori Gashi të japë dorëheqje.
Por, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, ka thënë se nuk e ka ndërmend që të jap dorëheqje.
“Dorëheqja është akt moral gjithkund në botë dhe nuk e kontestoj. Mirëpo kam një obligim që më ka dhënë senati dhe bordi i UP. Ata më kanë thënë që duhet të vazhdoj të punoj për shumë arsyeje. Senati ka diskutuar gjatë dhe nuk është problematike ajo që thuhet. Brenda një muaji ne do ta kemi listën e akademikëve që kanë publikuar në revistat ndërkombëtare. Ne do t’i shohim të gjithë si janë avancuar duke përshirë edhe mua. Dorëheqjen nuk e shoh opsion që ndihmon procesin këtu. Përgjegjësinë morale e kamë në shkallën më të lartë mirëpo qëndrimi im në këtë post ka të bëjë me ndihmën e këtij institucioni që të kaloj në këtë fazë të vështirë të saj”, ka thënë Gashi, transmeton RTK.
Kurse, Ministri i Arsimit, Ramë Buja ka thënë se Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, mund ta shkarkojë rektorin, Ibrahim Gashi, nga ky post. Ai ka theksuar se kjo është shumë logjike dhe normale, madje beson që duhet të jetë edhe juridike, meqë Këshilli janë ata që e kanë zgjedhur.
Në një intervistë në RTK, Buja e konsideron si rrugëdalje të mirë, kohën që ka kërkuar Këshilli dhe Senati, për të vlerësuar punimet e dyshimta, të kujtdo qofshin ato. Buja, thotë se në këtë rast duhet lënë anash personat, e duhet menduar për institucionin.
“Duhet stabilizuar gjendja dhe sugjerimi që i kam dhënë Senatit, është ajo, që të formojë një komision që të vlerësojë ato botimet që janë bërë në një revistë, që është apo nuk është, do ta vërtetojnë ata, dhe punimet që janë të dyshimta të kujtdo qofshin ato. Natyrisht unë i kam sugjeruar që të bëjnë punë korrekte të përmbajtur e të kujdesshme, në mënyrë që mos të ketë një ndjenjë hakmarrje për askë, eventualisht. Absolutisht, të mos kenë kujdes për individët por të kenë kujdes për institucionin, për ta ruajtur atë”, ka thënë Buja.