/2L ONLINE/ – Lëvizja Qytetare “Vatra”, me seli në Gjilan, duket se ka telashe, pasi kohëve të fundit asaj po i ikin edhe atë që janë vlerësuar themelues dhe shtylla të saja. Pas Ismet Tafilit dhe Hajrush Ramadanit, anëtar të kryesisë që kohë më parë u larguan nga Vatra, sot edhe Sejdulla Kadriu, njëri ndër themeluesit e Vatrës, ish kryetar i parë i saj, aktualisht anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, ulëse e fituar nën logon e Vatrës, e ka braktisur atë.
Kadriu, ekskluzivisht për Portalin 2L ONLINE, e ka bërë të ditur largimin e tij definitiv nga kjo Lëvizje, por ka qenë i rezervuar sa i përket publikimit të arsyeve. “Janë arsye objektive që më nuk mund të jem pjesë e kësaj Lëvizjeje”, ka thënë Shkurt Kadriu, megjithatë pa e fshehur atë se kohëve të fundit ka qenë i pakënaqur me zhvillimet në këtë Lëvizje, sidomos në strukturat drejtuese të saj.
Largimi i tij e bënë interesant edhe faktin se kjo Lëvizje ka qenë e përfaqësuar në Kuvendin Komunal të Gjilanit me një anëtar, pikërisht me Sejdulla Kadriun dhe largimi i tij nga Vatra e le këtë Lëvizje edhe pa përfaqësim në Kuvend, ndërkohë që tani pas publikimit të largimit të tij nga Vatra, do të shikohet edhe përfaqësimi nëpër Komitete ku “Vatra” ka përfaqësimin e saj.
“Po, unë jam anëtar i Kuvendit Komunal, por tani e tutje do të jem në cilësinë e asamblistit të pavarur, nuk do ta përfaqësojë më Vatrën”, ka thënë Kadriu, për të shtuar se do të vazhdojë të jetë zëri i të drejtave të qytetarëve të Kosovës Lindore, këndej e andej, kufirit aktual, dhe në këtë drejtim do të vazhdojë të jep kontributin e tij politik.
Përndryshe, ai ka mohuar se largimi i tij nga Vatra, ka të bëjë me ndonjë subjekt tjetër të cilës mund t’i bashkohet. “Jo, unë thjesht do të jem i pavarur për momentin dhe nuk do kalojë në ndonjë subjekt tjetër politik”, ka thënë Sejdulla Kadriu. /2L ONLINE/