DYLON

“Vatra” fillon kampanjën “Lista e Bashkuar Shqiptare Sjell Fitore”

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Siç qëndron situata para zgjedhjeve të ardhshme lokale në Serbi është e mundur që shqiptarët ta humbin pushtetin në Bujanoc për shkak se Serbia me lloj-lloj intrigash po mundohet të zvogëlojë trupin zgjedhor shqiptar. Prandaj, si domosdoshmëri shihet formimi i një “Liste Shqiptare” në Luginë të Preshevës.

Kështu është shprehur Kushtrim Kadriu, nga Lëvizja Qytetare “Vatra”, sipas të cilit numri i shqiptarëve në Kosovën Lindore ka nisur të pakësohet. Atje numri i tyre po bie në mënyrë drastike, ngase menjëherë pas luftës banorët emigruan në drejtim të Kosovës, më pas emigrimi vazhdoi edhe kur për Serbinë u hoq regjimi i vizave nga BE-ja.

EkoHigjiena

“Me rënien e numrit të banorëve, në masë të madhe ka rënë edhe numri i votuesve shqiptarë, gjë që përbën rrezik të madh që të humbet pushteti në komunën e Bujanocit dhe mund të ndodhë ajo që më herët i kishte ndodhur komunës së Medvegjës, e cila tashti dominohet nga serbët. Në masë të madhe kësaj po i kontribuon edhe përçarja e skenës politike shqiptare në Kosovën Lindore dhe formimi i shumë partive politike”, ka thënë Kadriu.

Sipas tij, si rezultat i mos unifikimit dhe rrezikut që kanoset për mos përfaqësimin e denjë të shqiptarëve, “Vatra” ka lansuar fushatën:”Lista e Bashkuar Shqiptare Sjell Fitore”. Kjo fushatë synon të arrijë:

1. Të vetëdijësojë banorët shqiptarë me të drejtë vote që jetojnë në Republike të Kosovës të dalin masivisht ditën e zgjedhjeve për te votuar për kandidatët shqiptarë pa marrë parasysh se në cilën parti shqiptare janë.
2. Rritjen e votave për kandidatët dhe partitë shqiptare me qëllimin e vetëm që të mos lejojmë krijimin e një shumice artificiale serbe dhe drejtimi i komunave shqiptare të mos bie sërish në duart e partive serbe.
3. Organizmin e transportit të votuesve nga qytetet si: Gjilani, Fushë Kosova, Prishtina, Dardana e Artana, për në Kosovën Lindore. Gjithashtu pjesë e kësaj fushate do të jetë një peticion që do të nënshkruhet nga personalitete publike nga të gjitha sferat e jetës.

“Me këtë peticion kërkojmë që faktori politik shqiptar në Kosovën Lindore, të unifikohet dhe të krijojë një liste unike politike të përbëre nga të gjitha partitë politike shqiptare. Ky peticion do t’i dërgohet të gjitha partive politike shqiptare me qëllimin e vetëm unifikimin e tyre dhe bashkimin e tyre në një listë të përbashkët zgjedhore”, ka thënë Kadriu.

Ai tha tutje se ka shfrytëzuar rastin dhe në emisionin Rrokum Roll të televizionit Rrokum, peticionin e nënshkruan moderatori Fidan Jupolli dhe deputetja e AAK-se Donika Kada Bujupi. Në ditët në vijim do të nënshkruhet edhe nga personalitete të tjera. /2L ONLINE/