(tregim)
Në Miqinë ishte lindur Petriti. Jeta e tij nuk ishte e lehtë. Fat nuk kishte as në shkollë, as në zanat, as në hobe që mund të kishin bashkëmoshatarët e tij. Por punën e deshi. Ishte krejt e kundërta e dembelit. Por punë nuk kishte. Edhe pse punonte ndonjëherë, nga angazhimi i tij, merrte vetëm 150 euro në muaj dhe puna e tij ishte shumë larg vendbanimit të tij. Por shpresat nuk i janë thyer! Kishte dëgjuar lajmet se liberalizimi i vizave do të vinte së shpejti dhe kjo ka ushqyer shpresat e tij se do të ikën për ndonjë vend ku mund të bënte para, veturë dhe ta merrte jetën e tij nën kontroll. Familja e tij që moti thoshte Petriti, i kishte ndarë bijtë e tyre: në evladë të dobishëm dhe të padobishëm. Sipas këtij klasifikimi që do t’i merrnin lakmi ndoshta edhe njohësit e thellë të teorive të personalitetet si Jung e Adler, thuhej si në vijim:
“Evladi i dobishëm është ai që sjellë të hyra në shtëpi. Nëse paret i shkojnë vetëm për rrugë edhe pse punon, ai nuk është evlad i dobishëm. Evladi i dobishëm e gëzon familjen e tij sa herë vjen në shtëpi. Ose sjellë dredhëza e banane, ose thotë merrni pesëdhjetë a njëqind euro e bleni harxh. E evladi i padobishëm është ai që nuk ia sheh shpia hajrin! Me ia pa shpia hajrin, nuk është si dikur, me qenë lëvrues i tokës, por me ia pa hajrin shpia, është ai që bon pare e i kënaq familjen me të gjitha kërkesat!”
Por Petriti do të synonte të bëhej evlad i dobishëm, pasi po shpresonte së shpejti të merrte udhë për në vendet e BE-së.
“Mezi po pres me u ba liberalizimi i vizave edhe me ikën sa ma shpejtë prej këtuhit. Nuk ka asgjë këtu. Nuk lëviz gjë prej gjëje!”- ia thotë shokut Petriti.
“O badihava liberalizimi i vizave! Nuk të duhet liberalizimi pa të drejtën për të punuar!” – ia shkurton shpresat shoku i ngushtë Petritit.
Një kusheri i Petritit i sheh duke biseduar rreth liberalizimit të vizave, tallet me dytë nga tavolina tjetër fqinje e kafeterisë.
“Po ju pengoj pak, por po dua t’ju them një lajm. Familjet shqiptare që jetojnë në Zvicër e Gjermani, ishin të shqetësuara me liberalizimin e vizave. Duke i parë dëshirat e të afërme të tyre për ta braktisur vendin sikur e kishin braktisur atë edhe vetë ata para një kohe, sivjet në pushimet verore kishin vendosur të gjithë të vinin me vetura sportive, vetëm me ulëse për dy persona. Kur ne do ju themi pasi të vijnë te ne, a të vijmë me ju mbrapa, pasi ka vende mbrapa, ata do të na thonë se a po e shihni se jemi me veturë për dy veta, jo bagazhi dhe nuk ka asnjë ulëse të lirë. Këtë vendim për të ardhur të gjithë në Kosovë vetëm me vetura sportive për dy veta, e kishin marrë thuajse të gjitha familjet, me përjashtim të atyre që nuk do të vinin sivjet fare në pushimet verore” – qeshet ai.
“Jo me vetura për dy persona, por le të vijnë edhe këmbë ose me aeroplan, ne do t’iu bashkëngjitemi në bisht të aeroplanit” – ia kthen Petriti me batuta, duke treguar vendosmërinë për të ikur pas liberalizimit të vizave.
“Familjarët tanë në mërgatën e Zvicrës dhe Gjermanisë, të gjithë kishin ndërruar adresat e vendbanimeve nga frika e turrjes së familjeve kosovare pas liberalizimit të vizave” – e shton humorin kushëriri përsëri.
“Unë e kam një ide: kur të vijnë mërgata gjatë pushimeve verore apo dimërore në Kosovë, ne shkojmë e qëndrojmë në shtëpitë e familjarëve tanë në Zvicër e Gjermani, ndërsa ata kur vijnë të pushojnë në Kosovë, i kanë të lira krejt shtëpitë e dhomat tona, e mund të rrinë krejt rehat. Ata vijnë në Kosovë, ne shkojmë atje. Është një propozim që do ta barti edhe te deputetët kosovarë dhe Ministria e Diasporës, në mënyrë që të bëhet edhe me ligj!” – replikon shoku i Petritit.
“Pa hajgare, liberalizimi i vizave do të na ndihmon shumë. Të paktën, studentët kanë mundësi të shkojnë e të shohin ndonjë fakultet, të krijojnë kontakte. Femrat e meshkujt e rinj mund të shkojnë për pushime kur të duan, të njoftohen me vajza e djem të rinj evropianë dhe më pastaj të investojnë në lidhjet e tyre nga largësia. Ndryshe ishte procedura e marrjes së një vize, torturat e mundimet edhe të vetë ftuesve nga atje. Tash janë disa mundësi të mira. Merre me mend tash mund të shkojmë me bileta më të lira, sapo e shohim ofertën, e jo të na kushtëzohet shkuarja me periudhën e aplikimit për vizë” – fillon të shpjegon përparësitë kushëriri i shokut të Petritit.
“Unë kam shkuar nga Gjilani për në Prizren vetëm për ekskursion, edhe pse kam pasur të drejtën e qarkullimit pa viza. Pa pasën pare, edhe njëqind viza e liberalizime, nuk të duhen. Kur je i pasur, ke mundur të lëvizësh edhe pa liberalizim. Kur keni shkuar në ambasadë, kanë kërkuar pasqyrën financiare në banka dhe varësisht nga të ardhurat tuaja, autoritetet kanë vendosur për vizë. Kush ka pasur pare, kurrë nuk ka pasur pengesa në lëvizje të lirë” – dekonstrukton mitin e liberalizimit të vizave dhe kushtëzimin me ekonominë e një vendi shoku i Petritit.
E Petriti vetëm heshtet! Nuk i vjen mirë që po flitet me këto tone vrastare të ëndrrës së tij për të ikur pas liberalizimit të vizave.
“Shkoj të punoj tre muaj, kthehem. Punoj ilegalisht në ndonjë vend evropian. Me ato para të tre muajve, jetoj gjatë gjithë vitit në Kosovë. Bëhem sikur të jem ulqinak, i cili tërë dimrin rrinë, e verës punon. Jeton nga puna e vetëm një sezoni. Edhe unë mund të jem një ulqinak pas liberalizimit të vizave. Nëse më gjejnë ilegalisht, më dënojnë me hyrje për në Shengen, ndoshta dy vite, ndoshta tri, ndoshta pesë. Kryesore, pa rrezikuar nuk ka asgjë. Ka plot njerëz që punojnë me vite në të zezë dhe kurrë nuk janë kapur. Është edhe fat. E di që nuk jam njeri me fat, por kjo është karta e fundit e fatit tim që nga fëmijëria” – theu heshtjen Petriti.
“E kam një bindje të fortë se liberalizimi i vizave do të jetë për mua një rilindje shpirtërore vetëm për një gjë: rojet e sigurimit në ambasadat e Dragodanit në Prishtinë, përkthyeset, zyrtaret e tjera dhe ambasadorët në Prishtinë, do të jenë me pushtet të perënduar. Kanë mbajtur shumë ‘kanun’! Mendjemëdhenj, sa s’ta merr mendja! Sado keni qenë të ngritur ju nga profesioni apo privilegjet e tjera shoqërore, kur keni shkuar në ambasadë, jeni turpëruar dhe ndonjëherë ulur kokën edhe para një punonjësi të sigurimit, nga frika se mund të ndikon në vendimin për dhënien e vizave. Liberalizimi i vizave do të godet shumë tërë kastën drejtuese, teknike dhe administrative të ambasadave në Prishtinë. Kjo është fitorja më e madhe ndaj kultit të paprekshëm të Dragodanit” – shprehet kushëriri i Petritit, i cili e filloi muhabetin me humor, por mëtonte seriozitet të paparë më pastaj.
“Liberalizimi i vizave është fitore e plakave dhe e pleqve, të cilët edhe në mote me temperatura të ftohta apo tepër të nxehta, detyroheshin të ngjiteshin në kolona aplikuesish. Liberalizimi i vizave më shumë se fitore e gjeneratës së re, është fitore e pensionistëve dhe të moshuarëve. Boll që shkojnë tash pa këto procedura burokratike” – thotë shoku i Petritit.
“Edhe atyre në diasporë, u ka rënë pak pushteti. Kur kemi edhe ne mundësi më të lehta për ta parë Evropën, atyre disi u bie paksa pushteti në hierarkinë e vlerave dhe prestigjit shoqëror. Po ashtu, shumë prej nesh kemi mundësinë të shohim mënyrën e jetesës së tyre, më për së afërmi, dhe kjo do t’i bënë ata të ndihen paksa keq. Nuk e kanë jetën sikur e paraqesin disa prej tyre, me veturat e tyre luksoze, shpenzime pa masë gjatë pushimeve verore, celularë të shtrenjtë e rroba me marka të njohura. Atje mbyten duke punuar gjatë gjithë vitit dhe disa prej tyre nuk kanë as edhe mjete financiare për një pushim në Kosovë” – vazhdon bashkëbisedimin nga largësia kushëriri i shokut të Petritit.
“O burrë eja me ne ulu, se nuk kemi ndonjë muhabet privat. Eja, e folim tretë në një tavolinë” – ndërhyn Petriti.
“Në rregull, po ngjitem me ju!” – flet kushëriri dhe afrohet te tavolina.
“Liberalizimi i vizave na heq turpin që e kishim para botës, pavarësisht a shkojmë apo jo; pavarësisht a kemi apo nuk kemi mjete për të shkuar atje. Në secilin variant, është heqje e turpit, për një vend të vetëm të izoluar nga rajon, nga krejt fqinjët tanë. Sado që nuk janë kushtet ekonomike, arsyetimi për marrje me ftohësi të liberalizimit të vizave, është i papërligjur. Absolutisht nuk kanë të drejtë ata që na shesin mend se badihava liberalizimi i vizave pasi nuk kemi para. Bahen paret! Edhe nëse nuk bahen, kur të jenë kismet, mund të lëvizim më lehtë. Ja për shembull: daja im vjen nga Zvicra dhe ai kënaqet me i ba shoqni gjatë rrugës, ndonëse pare ka mjaft. Kur të vjen ai në pushim, kthehem me të në Zvicër, kënaqem! Udhën e kam pa pare, se vij me to me kerr. Si kesh unë, si nuk kesh, ai shkon thatë andej. Ka shumë mundësi të mëdha, bile njëherë me shkelën Evropën” – nxen muhabetin Petriti.
“A e ke parë qysh disa që jetojnë në Zvicër e Gjermani, kishe po na mësojnë se liberalizimi i vizave nuk është asgjë, duke na ulur entuziazmin?! Krejt këto thirrje janë paniku i tyre për humbje të pushtetit të tyre, se demek vetëm ata kanë shëtitur, e jo ne” – vazhdon shoku i Petritit.
“Ka edhe disa që po ia ulin vlerën, sepse janë në opozitë. Me thënë të drejtën, sado që është vonuar liberalizimi i vizave dhe Hashimi, Isa e të gjithë të tjerët kanë rrejtur, përsëri nami i tyre do të mbetet, sepse po bëhet liberalizimi bash në periudhën e qeverisjes së tyre. Liberalizimi i vizave do ta godas shumë opozitën. Sado që duket mit, liberalizimi i vizave është mjet i kontrollit dhe stabilitetit të përkohshëm social, pasi që secili bën planet tash e tutje: dikush të gjej ndonjë vajzë për t’u martuar atje; dikush për të studiuar, dikush për të punuar ilegalisht nga tre muaj…Përkohësisht opozita do të goditet shumë. Ndoshta vetëm kur fillon zhgënjimi i përjetimit të liberalizimit të vizave dhe kuptojmë se pa kushte ekonomike, liberalizimi nuk ka shumë kuptim, atëherë mund t’iu kthehemi vetvetes dhe të krahasojmë vetveten me vendet evropiane. Ndoshta e kërkojmë atë standard edhe te elitat tona politike dhe kjo do të na bën të jemi rebelues e ndëshkues të krejt këtyre elitave politike që na kanë mbajtur peng në secilën fushë” – vazhdon kushëriri i shokut të Petritit.
“O mos me u kanë opozita që nxiti paksa tensione politike, nuk e kishim pasur kurrë liberalizimin e vizave aq shpejtë. Liberalizimi i vizave është karrotë shpërblimi nga BE, për lëshimet ndaj Serbisë (ngecja e aprovimit të Asociacionit me komunat me shumicë serbe, demarkacioni i lëkundur), frustrimit socio-ekonomik, humbjes së besimit në EULEX, zhgënjimit me BE-në dhe frika nga rritja e ekstremizmit fetar apo nacionalizmit patetik e agresiv-verbal. Nëse ikja masive në fundvitin 2014 ishte pas prishjes së bllokut LVAN, liberalizimi pas prishjes së VAN-it dhe mbetjes në AN” – ndërhyn Petriti.
“Pajtohem me kushën tem, se liberalizimi i vizave edhe do ta thyen mitin mbi Evropën te shqiptarët, por edhe do të jetë motiv për të bërë vendin e tyre si atje. Kur them mitin, sepse nuk është edhe krejt lule atje. Nuk është krejt sikur e mendojmë tani për tani në izolim. E kuptojmë se ka edhe shumë ekstremistë e ksenofobistë. Nuk na dojnë. Na shohin me shpotitje. Dalin edhe ato paragjykimet dhe stereotipet. Pastaj nuk është edhe ekonomikisht sikur mendohet. Takon evropianë që nuk kanë mundësi të dalin në klube të natës për secilën javë. I shihni duke u ankuar belgët, gjermanët, holandezët, etj., dhe e sheh që nuk është krejt lule atje, jo!” – miraton fjalët e kushëririt, shoku i Petritit.
“Liberalizimi i vizave do të na prish edhe me shumë familjarë, të afërm të tjerë e miq që kemi në vendet evropiane. Ne do të shkojmë atje, do të kërkojmë të na gjejnë ndonjë vend pune, ose ndonjë lidhje tjetër. Do të kërkojmë të flejmë një javë, një muaj e më shumë! Ata do të ngushtohen dhe nuk do të pranojnë. Ne do të hidhërohemi me ta qysh nuk na mbajtën asnjë ditë, nuk na shëtitën; nuk na hapën fare telefonin, ose do t’i ndërrojnë shumë shpesh numrat, do të ndryshojnë statusin në viber, fb, e tjerë e tjerë. Ne do të hidhërohemi me ta, kur nuk dalin të na presin në aeroport, se nuk e prishë askush agjendën e tij atje, ose i zënë e lodhur me punën e familjen e tij; ose nuk dëshiron të bën shpenzime, sepse në aeroport nëse shkon, i dalin më së paku pesëdhjetë euro prej duarve” – s’ndalet kushëriri i shokut të Petritit, duke folur për ridimensionimin e raportëve me mërgatën shqiptare pas liberalizimit të vizave.
Kamarieri kur i dëgjon që është nxehur muhabeti, shkon e ulet edhe ai.
“Liberalizimi i vizave do të jetë super, sepse do të merrem me tregti të veturave. Shkoj atje, i marri më lirë, i shes më shtrenjtë këtu. Për mua është super. Mezi po pres të vjen qershori” – jep mendimin e tij kamaerieri edhe para se të ulet bash në karrige.
“O do t’i shtrëngojnë senet për neve” – shprehet me frikë Petriti.
Në atë moment, vjen edhe furnitori me kafe i kafeterisë dhe tallet me ta:
“A edhe ju po folni për liberalizimin e vizave a? Ku po shkoj, në secilin kafeteri që u dërgoj kafe, këtë llaf po e bojnë. Temë e madhe u ba! Krejt po shpresojnë me ikën. Secilin që ta nish, llafin me ikën e ka. Azil, me punu ilegalisht, me shku me provue lagjen me zemra të kuqe, me vizitue familjarë, me bo selfie, me ekspozue arte e promovue libra… O shqiptarë, liberalizimi i vizave nuk hahet e nuk pihet! Ose në rregull, ngjyne edhe bukën me liberalizim të vizave! Shkoni nxjerrni më shpejt pasaportat e ri kush nuk i ka biometrike! Hiqjani pluhurin! Shumë shpejt do të zhgënjeheni edhe me liberalizim, por nuk po ju prishi entuziazmin! Kalofshi mirë!”
Në ato momente, pronari i kafeterisë vjen edhe ai, duke u ankuar se do të ndryshon biznesi i tij i vogël pas liberalizimit të vizave.
“Shumë vështirë do ta kem me punëtorë. Mësohen atje me pagat e BE-së, e nuk mund t’i mbaj aq lirë këtu në Miqinë. Fuqia punëtore ikën për në BE. Ne si biznes, do të kemi probleme me fuqinë punëtore. Nuk punojnë kështu lirë. Nuk punojnë kështu, edhe kur ia vonojmë pagën disa muaj, ose ia japin ngapak-ngapak! Liberalizimi i vizave do të jetë momenti i dytë më i madh i valës së ikjes masive të shqiptarëve të Kosovës pas asaj të azilit në fundvitin 2014 dhe tremujorin e vitit 2015. Pavarësisht broshurave, reklamave dhe thirrjeve që liberalizimi i vizave nuk është e drejtë për azil, punësim, etj., njerëzit do ta provojnë fatin e tyre. Shkojnë, shkruhen, i kthejnë a nuk i kthejnë, ata mendojnë se asgjë nuk humbin se sa kanë humbur edhe pa shkuar e provuar atje” – pohon i brengosur pronari.
Petriti e sheh se të gjithë po flasin për këtë temë dhe për pak sa nuk ia thyejnë shpresën e ushqyer, kërkon të ikën për në shtëpi. Del nga aty paksa i mërzitur dhe me disa ndikime edhe nga ky muhabet. E merr konopin dhe furrë veten! Tragjedia e tij dëgjohet në krejt Miqinën dhe e zymton atë me pikëllim, duke u shpallur tri ditë zie nga kreu i Miqinës!
Varrimi i Petritit bëhet në koincidencë në ditën kur bëhet edhe liberalizimi i vizave, duke u kumtuar lajmi në të gjitha televizionet private e publike, portalet online, rrjetet sociale, një ëndërr aq e madhe shprese për Petritin e ndjerë! Nafakprerin që nga lindja e tij në Miqinë! /Avni Rudaku/