DYLON

Vargu i Donikës si manifest poetik për dinjitetin e femrës

Vargu i Donikës si manifest poetik për dinjitetin e femrës
Redaksia

Shkruan: Ilir Sefaj

Edhe pse analiza e poezisë ka qenë fushë e interesimeve të mia në pasionin tim për letërsinë, në “përpjekjet” e mia në fushën e kritikës, mbase është hera e parë që trajtoj një poezi si të vetme (të veçuar nga libri-përmbledhja) dhe kjo jo pa shkas. Lexuesi ynë e njeh Donika Dabishevcin si grua të zonjën, përvoja profesionale e së cilës përfshin një gamë të gjerë interesimesh, ndërkaq vokacion i saj pa dyshim është poezia: vargu i goditur, sa i drejtpërdrejtë aq edhe i figurshëm, por që përherë mbart një mesazh të fuqishëm.

EkoHigjiena

Figura e gruas është ndër temat më intriguese në krijimtarinë letrare dhe jo vetëm. Duke qenë “baza e shoqërisë njerëzore” (S.Frashëri), gruaja zë vend të rëndësishëm në letërsinë botërore, ndërsa një vend meritor (të paktën si personazh) figurës së saj i jepet edhe në letërsinë shqipe. Ajo shfaqet në të gjitha dimensionet e veta: e fortë, djallëzore, e bukur, e emancipuar, e nëpërkëmbur, e dinjitetshme, shtëpiake, e shkolluar, dhe i gjithë ky rrugëtim i saj sikur lidhet me ecejaket tona kombëtare në histori e flet për faza të caktuara të zhvillimit tonë.

Në botën tonë moderne apo postmoderne, mendoj se janë tejkaluar shumë stereotipe që kanë ekzistuar për gruan, për dinjitetin e saj dhe për gjykimin tonë për të në përgjithësi, por që, fatkeqësisht, brishtësia e saj ende nuk është shkëputur njëherë e mirë nga gjykimi maskilist, i cili në shoqërinë tonë mbetet mjaft i theksuar.

Këtyre botëkuptimeve arkaike, Donika u përgjigjet fuqishëm me poezinë që është si një manifest për dinjitetin e gruas shqiptare: “Mos u dorëzo kurrë, çika jeme!”.

Në nji vend ku ma shumë t’i vlerësojnë t’pasmet se shpirtin,
ku për tru tandin kush pesë pare si jep,
mos u dorëzo, çika jem!

Kjo është një thirrje për gruan shqiptare që të qëndrojë e pathyeshme përballë një shoqërie dogmatike, e cila më shumë vlerëson të pasmet sesa shpirtin dhe mendjen e një gruaje të emancipuar. Përveç mllefit dhe papajtueshmërisë, këto vargje synojnë të na zgjojnë nga një përgjumje kolektive që ka përfshirë shoqërinë tonë.

Zhagitu, katrithu, rrëzohu,
lëpijë varrat, kthjellu e çohu,
Veç mos u dorëzo!
Intonon femra për femrën në vargjet e mësipërme.

Poetja e zgjedh protestën përballë nënshtrimit, fuqinë përballë dobësisë, njerëzoren përballë të panjerëzishmes. E gjendur në situata makthi si rrjedhojë e një mentaliteti që ende ka vështirësi t’ia japë vendin e merituar gruas shqiptare në shoqëri, poezia e Dabishevcit thërret për zgjim:

Zani le t’nihet n’kupë t’qiellit.

Për të vazhduar më tej te vargjet e mëposhtme, në përpjekjen e saj që idenë ta kthejë në veprim e veprimin në qëllim:

Nuk kanë me t’dashtë,
dihet ajo punë.
Janë msue me t’pasy e t’pagojë,
ama bash, punemadhe…

Pra, edhe pse nuk do të të duan, kundërshto, lufto, përpiqu dhe protesto me një: „Punë e madhe!“ Vargu i Donikës nuk thërret për tjetërsim në emër të një emancipimi të rremë. Përkundrazi, zërit dhe gjykimit arkaik, poetja kërkon që gruaja shqiptare t’i përgjigjet me dëshirën e saj për t’i ndjekur ëndrrat, duke theksuar se këto synime e qëllime realizohen vetëm duke qëndruar tek e natyrshmja dhe te mosdorëzimi.

Rri n’natyrën tande,
njeki andrrat, e mira e nanës…
Jepi, ec para,
forcohu e bahu gur,
mos u përkul, theje çdo mur
dhe kurrë, aman, mos u dorëzo kurrë!

Si përfundim i kësaj përqasjeje, mund të themi se poezia „Mos u dorëzo kurrë, çika jeme!“ e Donika Dabishevcit është një manifest për dinjitetin e gruas shqiptare — një rrugë e nisur bukur, mbi idenë e së cilës mund të kontribuohet në forma e mënyra të ndryshme. Kjo është një rrugë e hapur nga zëri i një gruaje të formuar dhe intelektuale, ku fjala dhe vepra e saj kanë peshën e vet të pakontestueshme. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.