DYLON

“Varg e Vi” e hapi Festivalin me 8 video-artistë ndërkombëtarë

“Varg e Vi” e hapi Festivalin me 8 video-artistë ndërkombëtarë
Avatar photo Redaksia

Në Shtëpinë e Rinisë në Gjilan, Qendra për Art Bashkëkohor “Varg e Vi”, pas projektit mbi trashëgiminë kulturore “G-performance”, e hapi edhe festivalin e parë të këtij lloji me video-art, jo vetëm në nivel lokal, por edhe në atë rajonal.

Para se të uleshin pjesëmarrësit, merrnin pupagjela apo “pucka” dhe nga një shishe ujë, duke i dhënë veçanti simbolike festivalit edhe për nga artikulli i shërbyer.

Drejtori i kësaj Qendre, Avni Shkodra, pasi falënderoi pjesëmarrësit dhe mysafirët e huaj nga Holanda e Mbretëria e Bashkuar, deklaroi: “Po e hapim festivalin OHH! Urban Video Art Festival, ku do të paraqiten përgjatë dy muajve tetë video-artistë ndërkombëtarë. Videot do të vendosen në hapësirat publike urbane të Gjilanit, përkatësisht, në tri pjesët kryesore të qytetit si: tek objekti në qendër të qytetit – Sheshi i Ri, tek hapësira e Bibliotekës së Qytetit dhe në amfiteatrin e hapur në lagjen Dardania 1. Gjilani do ta ketë gjallërinë e vet kulturore-artistike dhe shpresoj se të gjithë artdashësit do të kënaqen me video-artet e artistëve nga Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Holanda, Izraeli, Suedia, SHBA, Norvegjia dhe Rusia.”

EkoHigjiena

Më pas, Shkodra njoftoi edhe për bashkëbisedimet që do të zhvillohen me çdo artist në kafen e Egzonit në lagjen Dardania 1, ku për çdo javë sa shfaqen video-artet e artistëve ndërkombëtarë, do të ketë edhe biseda me çdonjërin prej tyre. Në hapje, fjalën e mori edhe kuratorja dhe ideatorja holandeze e festivalit, Maureen Bachaus. “Ndihem shumë mirë në Kosovë dhe në Gjilan, duke bërë hapjen e këtij festivali. Ideja ka qenë që për çdo javë, në pjesë të ndryshme të qytetit, të ketë punime të një video-artisti ndërkombëtar dhe përgjatë dy muajve, të jenë gjithsej 8 video-artistë me nga dy video-arte të tyre. Hapjen do ta bëjmë me Sam Christie dhe do ta përmbyllim me Mischa Badasyan.” Pas fjalës së kuratores, publikut iu shfaqën dy video-arte të artistit nga Mbretëria e Bashkuar, Sam Christie, e ku më pas rrëfeu se ku i gjente inspirimet për të bërë art. “E gjej artin në vendet e braktisura, në peizazhe, në natyrë. Mendoj gjatë se si një vend të zbrazët, një natyrë apo objekt të lënë nga njerëzit, ta bëj të gjallë e t’i jap shpirt. Arti për mua është dashuri, interferencë…” – u shpreh artisti Christie.

Festivali do të jetë i hapur nga 2 qershori – 28 korrik 2019, ndërsa mbështetja financiare është bërë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, pas aplikimit në thirrjen për projekte kulturore-artistike, ndërsa Drejtoria për Shërbime Publike dhe Biblioteka e Qytetit po ashtu kanë miratuar kërkesën e Varg e Vi-së për shfrytëzimin e hapësirave publike për tri projektorët e vendosur në tri pjesë të ndryshme të qytetit, ku do të jenë në dispozicion për të gjithë kalimtarët e rastit apo artdashësit që do të nisen me “të kastë” nga shtëpia për t’i shijuar pikërisht video-artet e 8 artistëve ndërkombëtarë.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.