Valentina Bunjaku – Rexhepi: Faleminderit shumë Kryeministër!

Valentina Bunjaku – Rexhepi: Faleminderit shumë Kryeministër!

Valentina Bunjaku – Rexhepi, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Parlamentin e Kosovës ka falënderuar kryeministrin Hoti, për siç ka thënë, që iu është përgjigjur pozitivisht kërkesës së saj për ndihmë familjes së Agon Musliut.

“Me kërkesën time si deputete e Kuvendit të Kosovës dhe duke njohur vështirësitë që po kalon familja e Agon Musliut, Kryeministri i Kosovës, z. Avdullah Hoti, ndan shumën financiare prej 25 mijë eurosh, që sadopak disa halle të jetës t’i lehtësohen pas tragjedisë së madhe”, ka thënë deputetja Bunjaku – Rexhepi, transmeton Portali 2LONLINE.com.

Ajo tha se Kuvendi i Kosovës formoi Komisionin Parlamentar Hetimor për të gjetur të metat dhe shqyrtuar vërejtjet gjatë kohës së pandemisë. Në fokus gjatë kohës së karantinimit, ku dyshohet se ka pas parregullsi të shumta, e ku fatkeqësisht humbi jetën Agon Musliu nga Gjilani – një student, intelektual i ri, lexues dhe një djalë shembullor.

“Pa dashur me i hap dhembjen e pashërueshme familjes Musliu në Kuvend, desha të jepja kontributin praktik, duke i kërkuar Kryeministrit profesionist, z. Hoti, mbështetje financiare për familjen e Agonit. Ai e pranoi kërkesën dhe i jam mirënjohës nga zemra, si dhe solidarizimin që kanë treguar qytetarët nga mbarë vendi. Gjithashtu kërkova që në vendin ku humbi jetën djali i vetëm i familjes Musliu, të vendoset një pllakë përkujtimore, ku humbi jetën studenti në Konviktin e Studentëve”, ka thënë Valentina Bunjaku – Rexhepi.

Ajo po ashtu ka falënderuar edhe Lutfi Hazirin – kreun e Komunës së Gjilanit, i cili ishte afër familjes së Agonit në çastet më të vështira. “Edhe njëherë, e ngushëlloj familjen e Agonit dhe tragjedi të tilla kurrë mos u përsëritshin në Kosovën tonë të lirë”, ka thënë ajo. /2LONLINE.com/

KOMENTE