DYLON

Valentina Bunjaku-Rexhepi: Barazia gjinore duhet të përmirësohet akoma

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE / – Për nder të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Komiteti për Barazi Gjinore (KBGJ) në Gjilan ka organizuar një takim solemne, ku gratë kanë kërkuar të përmirësohet përfaqësimi gjinor në vendimmarrje, në të dyja nivelet e pushtetit.
Gjylshen Berisha, kryesuese e KBGJ, ka thënë se këtë ditë do ta shfrytëzojmë jo për të festuar, por për të reflektuar mbi të arriturat dhe sfidat e gruas kosovare në këto 16 vjet dhe për të kërkuar avancim të të drejtave të gruas.

Duke nënvizuar rolin e femrës në shoqëri, Berisha ka thënë se gratë tona të guximshme përpiqen çdo ditë që me kontributin e tyre në fushat ku janë të angazhuara, ta bëjnë këtë vend më të mirë për të gjithë qytetarët.

EkoHigjiena

“Shoqëria kosovare ka nevojë për talentin, përvojën dhe lidershipin e grave”, ka thënë Berisha.

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, tha se gratë nuk duhet të kënaqen me kuotën e garantuar dhe kërkoi nga femrat që të angazhohen më shumë për të përmirësuar përfaqësimin në politikë dhe vendimmarrje.

“Ne kemi shumë punë për të bërë sa i përket barazisë gjinore, duke filluar nga familja e tutje”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi, duke nënvizuar si probleme të gruas edhe trashëgiminë, punësimin dhe çështje të tjera.

Sa i përket emërtimit të rrugëve, një proces ky në zhvillim e sipër, kryesuesja e Kuvendit Komunal i ka inkurajuar gratë që t`i dërgojnë propozimet e tyre te komisionet, por që nuk duhet të jenë emra të personave të gjallë.

Deputetet Lirie Kajtazi e Labinotë Demi-Murtezi, kanë thënë se Kosova nuk qëndron keq sa i përket legjislacionit, i cili rregullon barazinë gjinore dhe të drejtat e gruas, por sfidë mbetet zbatimi i ligjit.

Kurse Sabit Rrustemi, ish-deputet i Parlamentit të Kosovës, njëri nga hartuesit e ligjit për barazi gjinore, ka thënë se në këtë drejtim, Gjilani qëndron më mirë se komunat tjera, por ai pati vërejtje sa i përket përfaqësimit të femrës në pushtetin ekzekutiv, ku nuk është asnjë.

Mesazhet e tyre për këtë ditë, i kanë dhënë edhe Drita Maliqi, ish-deputete, Drita Klaiqi, ish-zyrtare për barazi gjinore, Shukrije Rapuca, këshilltare komunale, Sadete Tërnava (OSBE) dhe të tjera. /2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.