Ushtria e Kosovës garanton paqe në rajon

Ushtria e Kosovës garanton paqe në rajon

Lufta, kudo që ndodh dhe sado që zgjatë, paraqet seri katastrofash dhe domosdoshmërish në fund ka një fitues. Kosova me gjithë sakrificën për liri, viktimat, dëmet materiale, në fund arriti të fitoi lirinë, ti kthehet jetës normale dhe të shpall Pavarësinë. Kosova sot po bëhet me Ushtrinë e saj, të përkrahur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleat historik i shqiptarëve dhe përkrahësi më i madh i krijimit, konsolidimit, dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Shkruan: Ardian AZEMI

Pa një aleat si Amerika e largët, dhe pa përkrahjen e shteteve të fuqishme evropiane këndej afër, Kosova do të ishte ndryshe, shumë më ndryshe.

Transformimi i FSK’së në Ushtri, është hapi më i rëndësishëm që ka ndërmarrë Kosova. Nuk imagjinohet dot një shtet me forca për fatkeqësi natyrore. Shteti pa mbrojtje, nuk është shtet. Një shtet pa Ushtrinë e saj, është barrë për aleatët, për ushtrinë e botës përpraimtare dhe për buxhetin e shteteve ushtarakisht të forta. Kosova me Ushtri, paraqet lehtësim për vet NATO’n, dhe ofron siguri për qytetarët, pavarësisht etnisë, racës a besimit. Ushtria që po bëhet sot, shënon fundin e importit të sigurisë, dhe fillimin e eksportit të sigurisë. Rajoni dhe Ballkani Perëndimor, përfitojnë nga Ushtria e Kosovës, sepse vet misioni i saj është paqëruajtës, ndërsa populli i Kosovës është paqedashës, andaj pse duhet të mos i gëzohen të gjithë kësaj ngjarjeje me rëndësi historike përveç Kosovës, edhe rajoni..?!

Bota ka përparua shumë në aspektin e teknologjisë, e zbulimeve shkencore, e zbulimeve të planeteve, dhe nxitja ose krijimi i fronteve të reja të luftës, në këtë kohë, është zgjidhja më e varfër e mundshme, është tendencë për ta shkatërrua pikësëpari vetëveten, dhe tani të tjerët, pa i mendua pasojat, dhe pa e ditë fare se cili është rezultati, cili është profiti. Një gjë duhet ta kemi të qartë, asnjë ushtri në botë nuk nxitë luftëra, është politika ajo që nxitë luftëra, dhe jo për tu mbrojtur, por thjeshtë për të përfituar. Luftërat nuk bëhen për asnjë shkak tjetër, thjeshtë për territore dhe çështje ekonomike, dmth lufta dhe ekonomia janë një dhe të pandashme.

Nuk ka gjë më të mirë sesa të kesh Ushtri e cila buron nga një popull liridashës. S’ka dyshim se Kosova me Ushtrinë e saj do ti kontribuoj paqes në botë, si pjesë e misioneve paqëruajtëse. Kosova në NATO është veç çështje kohësh, ngase Ushtria e Kosovës është vet NATO-ja, sepse vet NATO ka investua në të, në aftësimin, organizimin, trajnimin e tyre. E premtja e këtij dhjetori, le të mbetet si ditë historike e krijimit të një Ushtrie e cila pushkët i përdor dhe i fshinë me trurin e saj.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE