Kryesuesi i Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në AP të NATO-s, Driton Hyseni, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, mori pjesë në Ceremoninë vjetore të homazheve për ushtarët e NATO-s Frethun të Francës, të rënë nëpër misione të ndryshme nëpër botë.
Nën temën e homazheve “Intervenimi i NATO-s në Kosovë” dhe dedikuar të rënëve në misionin në Kosovë, deputeti Hyseni para të pranishmëve të shumtë, diplomatë, senatorë, deputetë, kryetarë bashkie, ushtarakë, veteranë të NATO-s dhe qytetarë, shprehu mirënjohjen e përjetshme të Republikës se Kosovës ndaj NATO-s.
Në fjalën e tij ai tha se të gjithë ushtarët e NATO-s që humbën jetën në misionin në Kosovë do të kujtohen dhe respektohen përgjithmonë nga populli i Kosovës, jo vetëm sot.
“Unë vij nga një vend që ndjeu shumë përkrahjen e NATO-s gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, luftës së udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sot e ndjejmë me zemër mbështetjen e NATO-s për vendin tonë. I gjithë përparimi i Kosovës është arritur duke qenë në partneritet shumë të ngushtë me Aleancën e Atlantikut të Veriut. Më shumë se dy dekada më parë NATO ndërhyri kundër regjimit serb të Milosheviqit, duke ndalur gjenocidin e Serbisë ndaj popullit tonë, duke mbështetur lirinë e Kosovës dhe duke bërë të mundur kthimin në shtëpi të më shumë se një milion qytetarëve të Kosovës, të dëbuar me dhunë jashtë vendit. Ne jemi përgjithmonë mirënjohës”, theksoi Kryesuesi i delegacionit në AP të NATO-s në Kuvendin e Kosovës.
Deputeti Hyseni shtoi se sot në kontinentin tonë po kërcënohen vlerat për të cilat kontribuon NATO dhe pavarësisht nga madhësia, Kosova qëndron pranë këtyre vlerave, duke dhënë kontributin e saj dhe duke dëshmuar se liria, demokracia dhe parimet si sovraniteti dhe pavarësia kudo në botë duhet respektuar.
“Ne aspirojmë dhe punojmë që sa më shpejtë të jemi pjesë e NATO-s”, tha në fjalën e tij deputeti Hyseni.
Ambasadori Mehdi Halimi nga ana e tij tha se falë ndërhyrjes së NATO-s u ndal një gjenocid, u shpëtua një popull dhe u vendos drejtësia.
“Dua të përshëndes edhe një herë guximin e ushtarëve të saj. Sot, 23 vjet pas luftës dhe 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë sonë, ne me krenari vërejmë përparimin e madh që ka bërë Republika jonë në të gjitha fushat e shtetndërtimit”, theksoi ambasadori Halimi. /2LONLINE/