(2L ONLINE) – Urrejtja është në natyrën e njeriut. Ata që urrejnë janë të ngrysur dhe larg dritës.
Shkruan: Femi HALIMI
Nuk kanë një arsye dhe nuk kanë një përgjegje për urrejtjen e tyre. Në vend se të bëjnë vepra të mira, urryesit janë të shtytur në urrejtje të bëjnë vepra të këqija. Kështu, duke shkuar kundër arsyes, urryesit e kthejnë gjithë jetën e tyre në Ferr.
Urrejtja, mes dy njerëzve, a mes dy grupeve, a mes një njeriu e një grupi dhe anasjelltas, a urrejtja e një kombi të tërë ndaj një kombi tjetër, -sidoqoftë, errëson arsyen, ulë njeriun dhe e bën jonjeri. Një komb që urren një komb tjetër, bëhet fatkeq dhe humbës dhe një ditë vdes, kurse kombi që urrejtjen e kthen me mirësi, jeton. Urrejtja herët a vonë përfundon me krim dhe Humbje dhe këta janë trashëgimtarët e këqij të Kainit. -Sigurisht se kësaj të keqeje i prinë një shkak ireal. Mbase ka një kënaqësi në urrejtje dhe kjo më bën të dyshojë.
Ata që urrejnë, janë edhe krenarë që urrejnë. Kjo iu vjen sigurisht nga një përkrahje nga një tjetër si vetë, a nga një grup, a nga familja që ka traditë të këtillë, a nga një parti. Urrejtja duket sheshit, është sjellje e gabueshme, por ai që urren këtë e bën me vendosmëri e krenari dhe gjithë kohën e gjithë jetën e vet. Shkaqet për këtë janë të shumtë Të shumtën shkaqet janë banale dhe tejet të ultë. Nëpërmjet urrejtjes zbulohet njeriu i errët dhe i ftohtë e me pasoja të thella të vërragëve në jetë. Urrejtja vjen për pasojë të mosarsimimit të drejtë . Ka urrejtje politike e partiake dhe kjo tejkalon të gjitha pengesat morale. Në jetë kam parë urrejtës edhe nga shkaku se janë të shpëlarë moralisht, pa pikë fytyre e marreje dhe pa ndjenja njerëzore.
Në këtë pikë kam parë njerëz që janë në gjendje të bëjnë më të keqen kundër njeriut, po të munden. Kam parë njerëz në këtë pikë që nuk kanë kurrfarë ndjenje për kombin dhe atdheun dhe urrejtja e tyre është e drejtuar me gjithë forcën kundër atdhetarëve. Këtë urrejtje e ka bërë koha gjithmonë nën sundime të të huajve dhe kur ai që flet e gjykon keq për kombin e vet, kalon mirë te sunduesit e huaj. Kalon mirë për një kohë, o për do kohë, sepse në një fund më herët a më vonë, një i tillë që nënçmon kombin e vet, përfundon keq mu para atyre sunduesve që ia rrahin shpindën për të drejtë e të ndryshëm nga kombi i vet. Nuk është çudi që ka edhe të tillë shumë që e urrejnë edhe lirinë, pse jo. Urrejtja u shfaq me tërë të keqen e vet qysh te njeriu i parë. Urrejtja me këtë tregon se përfundon me krim. Por nëse nuk përfundon me krim, derisa nuk lirohet, mbahet përbrenda urryesve dhe helmon jetën e tyre. Kështu urryesit janë të helmuar rëndë dhe të mpirë. Ndaj së keqes së këtillë urryesit me kohë jovetëmse nuk përpiqen që të shërohen, porse edhe më keq, mësohen me të, si me dehje të rëndë. Ata ndjejnë një frymë krenarie pse urrejnë dhe pse janë të veçantë. Kështu urryesit janë banorë të vetëzgjedhur të Ferrit që nga jeta në këtë botë!
Urrejtja është në njeriun gjatë gjithë jetës dhe provokimi më i madh e më i fuqishëm për të keq. Nuk është tek disa njerëz, e tek disa jo. Gjithmonë, dikush ka arritur qëllimet e veta dhe ka realizuar dëshirat. Me të dikush tjetër që nuk ka arritur ashtu, ka urryer dhe është bërë një armik nga rasti. Edhe në urrejtje ka një vend për arsye, dhe një mungesë të plotë të arsyes e shfajësimit. Vetvetiu urrejtja bën dëm dhe errëson shpirtin e njeriut. E shpirti është një dritë fryme e përjetshme në ne nga Perëndia, prandaj është dritë që nuk don të mbulohet e errësohet. E keqja e mbulon shpirtin me re të zezë dhe ndjell pushtetin që nuk është i Zotit. Për këtë njeriu nuk duhet të urrej në asnjë mënyrë dhe me asnjë arsyetim, sepse fundifundit, urren veten vetë. Duke u përmbajtur njeriu ndalë urrejtjen edhe kur ka vend, e kultivon arsyen dhe të mirën.Urrejtja kombinohet me mënyrat tjera të shumta të prishjes njerëzore.
Ka një rast, që miku i mirë më sjell me respekt dhe më bën nderë, pastaj gjithë mundin e hargjimin që bën i prishë me shprehjen e urrejtjes ndaj dikujtë të drejtë, veçse është i drejtë. Nuk i pengojnë ata që bëjnë keq, por ata që bëjnë mirë.
Urrejtja kështu ndaj njerëzve të drejtë dhe të mirë, ka qenë intrigë njohjeje gjithmonë. Por ky miku i mirë, që më nderon, gjithmonë, në fillim a në fund, e ka shoun e urrejtjes për dikend të drejtë. Urrejtja, hirësia e errët, shprehet suksesshëm duke pretenduar të drejtën nga folësi me urrejtje. Që më parë flitet për të drejtën dhe të mirën, ndahen rolet, merren shembujt, dhe krejt pas kësaj, pasi urrejtësi të sigurohet sipas mendjes së tij, ngutet dhe për shembull të keq e merr një njeri të mirë! Mjetet që urrejtësi përdorë për të argumentuar një dikend për të keq janë nga mjetet e njeriut të parë, me baltë e dru dhe me dushk mbuluar. Zakonisht pas lufte te ne është në përdorim pa afat fare, zhargoni i etiketimit të dikujtë me fjalor të gjykatësve për veprat penale të rënda. Ky fjalor i pasur për të keq plotësohet me pjesë bisedash që urrejtësi ka pasur me dikend, të drejtë, e që ka argumentuar të keqen e këtij personi që urrejtësi e ka kryefjalë në çdo fjali. E gjuha, nëse nuk frenohet, është një zjarr që djeg malin dhe njeriu gjithçka shpiku e arriti deritash, por gjuhën nuk e frenoi dot, poqese heqë arsyen.
Gjithë një ndejë e këndshme, prishet me një përpjekje për të argumentuar fajin dhe krimin e dikujtë, pa interes fare në bisedë, për shkak të urrejtjes. Në këto raste, kam parë se ka role drame të vërtetë. -Jam unë, që më drejtohet urrejtësi, që është mik imi, është miku që urren, që po mos të urrente do të ishte njeri shumë i këndshëm, dhe është personi i urrejtur nga miku urrejtës, që në të vërtetë nuk është për tu urrejtur. -Përse por urrejtja kështu te miku për njeriun e urrejtur? -Sepse ka dallime të mëdha në karakter dhe në gjëra tjera përcjellëse.
Veç kësaj, ndodhë që personi i urrejtur ka vetitë e mia dhe unë me të kam një jetë të ngjashme, kurse një mik që më thërret në kafe e ndejë këndshëm, përshkruan një person të tillë me cilësi kriminale të rënda. Në këtë rast fjalët e mikut me urrejtje bëhen helm direkt edhe për mua, sepse qenia ime nuk mund ti mbijetojë helmit të urrejtjes së tillë, sepse një me personin e urrejtur jam edhe unë. Më duhet një kundërhelm gjithnjë me injektim për çdo ditë që mos të helmohem.
Për të mos u hlemuar me urrejtje, unë kaloj ngadalë në dialog, duke ia ndërruar personazhet mikut në ndejë dhe duke kërkuar që standardet ti ketë të njëjtë për të gjithë. E nëse miku tregohet këmbëngulës duke mos marrë parasysh arsyen time, unë i kërkoj falje dhe i spjegoj se e ka gabim këtë kështu. Në fund, kur të frenohet e ndalet, e ftohet, i flas për rolin e keq të urrejtjes. Sepse njeriu ka kufij dhe distancë. Fundifundit, në rastet e këtilla, kur miqt e tejkalojnë arsyen dhe shkelin virtytin, është detyrim moral që të reagohet dhe kërkohet përmbajtje, ose ndarje. Sepse më ka ndodhë kjo dhe di shumë miq të vjetër, që për shkak të tejkalimit të ndaluar të pikave morale nga ta, jemi ndarë dhe nuk kominikojmë më. Më mirë. O po si. Qetë, e për shëndet!
Nuk e kam bërë këtë distancim e ndarje për shkak të urrejtjes, por për shkak të arsyes dhe shëndetit, kur më është krejt e kuptueshme se urrejtja ndaj miqve të mi dhe njerëzve të mirë është urrejtje edhe ndaj meje. Jo se nuk pranoj urrejtjen, edhe nëse e meritoj, por thjeshtë sepse nuk dua të rri me njerëz të tillë! /2L ONLINE/