/2L ONLINE – Ditë më parë rotarianë, rotaraktorë, interaktorë, miq të rotarianëve e mysafirë të tjerë, u bënë bashkë për të nderuar e përshëndetur një punë të mirë në frymën rotariane që po e bëjnë disa të rinj gjilanas që janë pjesë e RCT “Anamorava”, dhe që angazhimi i tyre u pranua/ kurorëzua edhe me certifikimin e tyre si rotaraktorë me të drejta të barabarta sikurse çdo rotaraktorë në botë.
Po shihet se tani më Rotary në Kosovë po bëhet gjithnjë e më shumë organizatë e preferuar për gjeneratat e reja që po vijnë që të bashkohen bashkë me rotarianë të klubeve Rotary që veprojnë në Kosovë, po marrin pjesë në rrugëtimin e përbashkët për të kontribuuar në përpjekje për ta bërë botën një vend me të sigurt dhe më të mirë për të jetuar
Këta të rinj, që janë pjesë e Klubit Rotarakt “Anamorava” me aktivitetet e deritanishme po tregojnë se kanë potencial, se janë të interesuar, por edhe janë të angazhuar për të bërë mirë, për të shërbyer në komunitetin ku jetojnë, por edhe me gjerë, për një të mirë të përgjithshme. Përgjatë këtyre disa muajve sa janë aktiv këta të rinj-rotaraktorë po shërbejnë mirë dhe komuniteti po ua sheh hairin. Por, në fakt edhe këta po ja shohin hairin kësaj pune sepse në Rotary, kush shërben më së miri përfiton më së shumti. Është përfitimi shpirtëror kur shohim se nga një angazhim i joni shpaloset një buzëqeshje në fytyrën e dikujt që ka nevojë për atë shërbim, dhe ku ka më mirë se sa të jesh ti shkaku i një buzëqeshjeje të tillë.
Për t’i ik shpjegimit klasik të definicionit të Rotary, si një organizatë shërbyese në botë e organizuar përmes klubeve që tubojnë njerëz lider, të dëshmuar në profesionet e bizneset e tyre, shpesh herë shërbehem me një përkufizim paksa më të shkurtë, por besojë edhe shumë të qartë.
Të jesh rotarian do të thotë të jesh njeri i mirë. Ta duash të vërtetën, të jesh i drejtë, Ta kuptosh në formën më të mirë se diversiteti është vlerë, se është shumë thelbësore dhe virtyt fisnik të ofrohesh për shërbim për të tjerët, para vetvetes. Në këtë rast, kur kemi të bëjmë me rotaraktorë atëherë kjo që e thash pak më parë është e dyfishime, prandaj figurativisht do ti quaja këta të rinj njerëz të mirë n’katror!
Rotarianët promovojnë vlerë në një vend, e kjo vlerë po buron dhe po shpërndahet tani edhe nga rotaraktorët gjilanas që ndonëse u certifikuan tek tani zyrtarisht, në kuptimin e pranimit të certifikatës, në fakt jehona e tyre, e shërbimit që kanë bërë, veç është pjesë e shoqërisë gjilanase, por edhe me gjerë. Në fillim Ishte një bërthamë e disa të rinjve që ishin pjesë e takimeve rotariane të RC Gjilan, e dita ditës kjo bërthamë zgjerohej me të tjerë dhe shumë shpejtë u bë që të provojnë edhe me takime të tyre autonome dhe në këtë drejtim nuk munguan as projektet me të cilat u dëshmuan.
Pjesëmarrja për herë të parë në RC Gjilan ishte në maj të 2014, Ilmi Hajdini, Manushaqe Latifi, Ylberza Fazliu, Valentina Veseli, Qëndresa Latifi… ishin vetëm disa prej të rinjve që ishin pjesë e takimit të RC Gjilan. Për një kohë vazhduan me pjesëmarrje në takimet e rregullta të RC Gjilan, madje duke qenë aktiv edhe në aktivitete të këtij Klubi dhe se pas një kohe të shkurtër filluan të ftojnë edhe të rinj të tjerë që treguan interesim dhe se shumë shpejtë u krijuan kushte për t’u pavarësuar dhe funksionuar në vete, duke punuar rreth procedurave për krijimin e Klubit Rotarakt, por njëkohësisht edhe në projekte të frymës rotariane për të vazhduar kështu deri në këtë ditë edhe kur u certifikuan.
Në fillet e para, me vullnetin e tyre të mirë, ishin pjesë e projekteve të RC Gjilan, për të kontribuuar me mundësitë e tyre, që u pa qysh kur arriti autoambulanca si donacion nga një Klub Rotarian nga Anglia, që përmes RC Gjilan iu dhurua QKMF-së në Gjilan. Bashkë me autoambulancën erdhën edhe një sasi e rrobave dhe disa sosh paterica dhe rotaract ishin pjesë e aktivitetit për shpërndarjen e tyre, që u bë në QKMF, Handikos e Spitalin Rajonal të Gjilanit.
Projekti tjetër i RC Gjilan, i tensiometrave për QMF-të e Gjilanit, solli edhe kontributin direkt të rotaraktorëve që ishte dhurimi I mjeteve për dy tensiometra, nga 21 sa ishin blerë gjithsej. Përveç këtij kontributi, rotaraktorët morën pjesë edhe në shpërndarjen e tyre.
Një aktivitet i radhës ishte mbjellja e fidaneve rreth autostradës projekt me rotarianët e Prizrenit dhe të klubeve tjera e ku edhe rotaraktorët gjilanas morën pjesë aktivisht. Aktivitetet dhe kontributi i rotaraktorëve gjilanas ka vazhduar në bashkëpunim edhe merotaraktorë të tjerë si në rastin kur janë ndihmuar rotaraktorë t e RCT “Illyrian”, nga Prishtina, në disa raste të shpërndarje s së disa ndihmave për familjet në nevojë dhe në shpërndarjen e dhuratave për festat e fundvitit.
Po ashtu, rotaraktorët e “Anamoravës”, ishin aktiv dhe pjesë e grumbullimit të ndihmave për në Shqipëri, me rastin e prekjes së këtij vendi nga vërshimet. Disa prej rotaraktorëve ishin pjesë e ekipit të rotarianëve e rotaraktorëve kosovar që i dërguan ndihmat në Shqipëri.
Angazhimi i tyre erdhi në shprehje edhe me rastin e aktivitetit të RC Gjilan që ishte organizimi i “Darkës së Fundvitit”, me karakter të grumbullimit të fondeve për realizim të projekteve në fushën “Edukim dhe Arsim”, ku rotaraktorët ishin aktiv duke ndikuar me aktivitetin e tyre në grumbullimin e fondeve
Një pjesë nga ky fond, i ndarë për ta, ka rezultuar menjëherë me realizim të projekteve ku përfitues janë shkollat e Gjilanit, veçmas parashkollorët. Ishte ky projekti “Dhuro lodra për fëmijë”, ku ka përfituar Shkolla në Mihir të Bresalcit ndërsa tani më veç është gati edhe pjesa e dytë e projektit “Dhuro lodra për fëmijë”, ku pritet të përfitojnë klasat parashkollore të pesë shkollave të fshatrave të komunës së Gjilanit.
Krejt këto punë të mira janë bërë nga rotaraktoët e RCT “Anamorava”, por që ata kanë pas edhe miq që i kanë ndihmuar, të cilët , disa për shkak të moshës ende nuk kanë mund të jenë rotaraktorë, (pjesë e rotaraktorëve, të rinjtë e moshës 18-30), e disa në pritje të kryerjeve të procedurave, pasi janë kyçur tani së voni, por që të gjithë aktiv, andaj duhet përmendur. Ja ekipi i mirë të cilën e përgëzojmë për punët e bëra, për angazhimin e deritanishëm dhe atë të mëtutjeshëm: Ilmi Hajdini /President/, Qendresa Latifi /Zv.President/, Manushaqe Latifi /Arkatare/, Valentina Veseli /Sekretare/, Ylberza Fazliu /Zv.Arkatar/, Elduana Surdulli /Zv.Sekretar/, Adelina Zymeri /Drejtoresh e Komiteteve/, Sebahate Ajeti /Përgjegjëse për marrëdhënie me media/ Sabri Rushiti /Përgjegjës I Mbledhjeve/ Lendrit Mehmeti, Edona Musliu, Petrit Ramadani, Blerina Halili, Rabije Shkodra, Shkodran Berisha, Sokol Zeneli, Shqiprim Osmani, si dhe Arbëresha Lakna, që të gjithë rotaraktorë, si dhe interaktët: Lirim Kqiku, Blerina Halimi, Jakup Mustafa, Vesë Beshtica dhe Ilir Osmani.
Urime RCT “Anamorava’! /2L ONLINE/
/autori është anëtar i RC Gjilan dhe mentor i RCT “Anamorava”/