/2L ONLINE/ – Dy komitete komunale, Urbanizmi dhe Kadastra, në takime të ndara, i kanë hapur rrugë ndërtimit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në një lokacion të ri, mbi stacionin e autobusëve, duke përkrahur kërkesën për qasje në ndryshimin e planit rregullues në lagjen “Kodra e Thatë”, përkatësisht përcaktimin e një hapësire në këtë zonë.
Në Komitetin e Urbanizmit, që kryesohet nga Artan Hoxha, kërkesën e ka arsyetuar Fadil Sherifi, shef i Sektorit të Planifikimit në Drejtorinë përkatëse, ndërkaq në Komitetin e Kadastrës, që drejtohet nga Refik Shala, këtë e ka bërë drejtori Sadudin Berisha.
Sherifi ka thënë se mundësia për revidim të një pjesë të planit në këtë zonë, ekziston, meqë kanë kaluar pesë vjet nga koha kur plani është miratuar. Kërkesa është që nga sipërfaqja e përgjithshme prej rreth 50 ari, për nevoja të QKMF-së të ndahen 30 ari. Pjesa tjetër mbetet për banim kolektiv dhe hapësira rekreative, ka thënë ai.
Sadudin Berisha, drejtor i Kadastrës, ndërkaq ka thënë se bëhet fjalë për pronë komunale, e cila i jepet në shfrytëzim Drejtorisë së Shëndetësisë, si interes publik, për nevoja të ndërtimit të QKMF-së. Ai ka sqaruar se hapësira ndodhet afër Spitalit Regjional dhe mendohet që më vonë, për të lehtësuar komunikimin ndërmjet këtyre dy institucioneve të shëndetësisë, të ndërtohet edhe një nënkalim.
Komiteti i Kadastrës, njëherësh ka miratuar edhe kërkesën për lejimin e shkëmbimit të një prone komunale me një pronë private, në lagjen “Dheu i Bardhë II”, për nevoja të ndërtimit të një shkolle fillore atje.
Edhe për këtë kërkesë, arsyetimin e ka dhënë drejtori Sadudin Berisha, ndërsa është përkrahur nga të gjithë anëtarët e kësaj trupe komunale, që kanë marrë pjesë në mbledhje.
Përfaqësuesja e VV, Arjeta Rexhepi e ka lëshuar takimin, pas kërkesës për shtyrjen e mbledhjes, me arsyetim se materialet nuk u janë dërguar me kohë, por nuk është përkrahur nga të tjerët.
Ndërkaq, kërkesa për ndarjen e një lokacioni për ndërtimin e një objekti për të moshuar, nuk ka kaluar në Komitetin për Planifikim Urban, me arsyetim se materiali është dërguar me vonesë, ndërkaq Komiteti për Kadastër e ka shtyrë shqyrtimin për të hënën, meqë ky propozim, paraprakisht duhet të kalojë në Komitetin e Urbanizimit.
Përndryshe, Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, një ditë më herët, e ka vlerësuar si domosdoshmëri ndërtimin e një shtëpie të pleqve dhe i ka rekomanduar Komitetit për Politikë dhe Financa miratimin e kërkesës për ndarjen e një lokacioni, për këtë qëllim.
Jashar Jashari, kryesues i këtij Komiteti, ka thënë se në rajonin e Anamoravës jetojnë mbi 250 mijë banorë dhe duke pasur parasysh edhe nivelin e papunësisë dhe varfërisë, është nevojë e ngutshme që të investohet në fushën e mirëqenies sociale, përkatësisht ndërtimin e një shtëpie të pleqve, ku do të strehoheshin të moshuarit pa përkujdesje familjare.
Në Gjilan, llogaritet se jetojnë mbi 7565 persona mbi moshën 65-vjeçare, ndërsa aktualisht 7 persona janë të strehuar në shtëpinë e pleqve në Prishtinë./2L ONLINE/