/2L ONLINE/ – E kërkuar dhe e inicuar vite më parë nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore e Gjilanit, ndërtimi i urës mbi lumin Moravë, që mundëson një qasje të përhershme për në kalanë e Pogragjës, po bëhet realitet.
Projekti i përbashkët i MKRS-së, Komunës së Gjilanit dhe CWB-së ( Trashëgimisë kulturore pa kufij ) është në finalizim e sipër.
Drejtori i QRTK –së, Artan Hoxha, pas një vizitë të bërë në vendpunishte, tha se ky projekt ju mundëson institucioneve tona përgjegjëse që të kenë një qasje më të lehtë sa i përket hulumtimit, rehabilitimit po edhe konsolidimit të tërësishëm të kalasë së Pogragjës.
Edhe shumë vizitorë, e sidomos turistë të huaj do ta kenë më lehtë për t’i parë e shijuar këto thesare të trashëgimisë sonë nëpër shekuj po edhe të bukurive natyrore të kësaj ane e, sodmos të Luginës së Llapushnicës,e cila tash është edhe zonë e mbrojtur me vendim të Kuvendit Komunal të Gjilanit.
Përndryshe, sipas Sabit Rrustemit, zyrtar për promovim në QRTK në Gjilan, pas konsolidimit të pjesshëm të mureve të kalasë ( 2009 ) si dhe pastrimit nga bimësia ( pranverë, 2015),me ndërtimin e urës, përfundimisht lehtësohen edhe shumë ndërmarrje tjera të nevojshme që kanë të bëjnë me këtë lokalitet arkeologjik që shtrihet në një nga luginat më atraktive të Karadakut. /2L ONLINE/