DYLON

Universiteti Publik “Kadri Zeka” mirëpriti Ambasadorin e Francës në Kosovë Olivier Guérot

Universiteti Publik “Kadri Zeka” mirëpriti Ambasadorin e Francës në Kosovë Olivier Guérot
Avatar photo Redaksia

Universiteti Publik Universiteti Publik Kadri Zeka në Gjilan, mirëpriti Ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, Olivier Guérot. Në këtë takim të pranishëm ishin studentët, stafi i universitetit si dhe pjesëmarrës të tjerë.

Kjo vizitë e organizuar nga Fakulteti i Shkencave Sociale në UKZ, u bë në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar akademik dhe kulturor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës, si dhe me qëllim të zgjerimit të mundësive për mobilitet studentor, shkëmbime akademike dhe zhvillim të projekteve të përbashkëta shkencore.

EkoHigjiena

Në emër të Rektorit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, të pranishmit i përshëndeti Prof. Ass. Dr. Lindita Loku Nikçi, Prorektore për Mësimdhënie dhe Çështjet e Studentëve, Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, e cila theksoi rëndësinë e vizitave të tilla për avancimin e procesit të ndërkombëtarizimit të universitetit dhe krijimin e urave të reja të bashkëpunimit me institucionet evropiane të arsimit të lartë. Ajo u shpreh se partneritetet me universitetet franceze janë të mira për ngritjen akademike të studentëve dhe stafit.

Në fjalën e tij, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku,  vlerësoi vizitën e Ambasadorit Guérot të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve akademike dhe për thellimin e bashkëpunimit ndëruniversitar, duke theksuar se kontakte të tilla ndërkombëtare ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së arsimit dhe hapjen e perspektivave të reja për studentët.

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Olivier Guérot zhvilloi një diskutim me temë “Ndikimi i Francës në zhvillimin dhe konsolidimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës”, ku foli për rolin e Francës në proceset diplomatike dhe institucionale që lidhen me Kosovën, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në fushën e arsimit, kulturës dhe shkëmbimeve shkencore. Ai theksoi se Franca mbetet e përkushtuar në mbështetjen e të rinjve kosovarë përmes programeve të ndryshme studimore, bursave dhe mundësive të shumta të studimit në universitetet franceze, duke inkurajuar studentët që të shfrytëzojnë këto mundësi për të ndërtuar përvojë ndërkombëtare dhe për të kontribuar në zhvillimin e vendit të tyre.

Gjatë aktivitetit u prezantuan gjithashtu mundësitë e studimit në institucionet franceze të arsimit të lartë, programet akademike dhe mundësitë e ndryshme të mobilitetit studentor dhe kërkimit shkencor, të cilat u vlerësuan si shumë të rëndësishme për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe akademike të studentëve.

Në fund të takimit u zhvillua një diskutim i hapur me studentët, të cilët shfaqën interesim për mundësitë e studimit në Francë, proceset e aplikimit për bursa dhe përfshirjen në programe ndërkombëtare. /2LONLINE/