Universiteti Publik “Kadri Zeka” dhe Oda Ekonomike e Kosovës bashkëorganizojnë “Anamorava Economic Forum 2026”
Ushtruesja e detyrës së Rektores së Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Fitore Malaj, së bashku me stafin tjetër të menaxhmentit, priti në takim Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, të shoqëruar nga ekipi i tij, për të diskutuar organizimin e Anamorava Economic Forum 2026, i cili do të mbahet më 8 tetor 2026 në Gjilan, në Vali Ranch.
Gjatë takimit u diskutua për bashkëorganizimin e forumit dhe kontributin që Universiteti Publik “Kadri Zeka” do të japë në këtë ngjarje të rëndësishme ekonomike për rajonin e Anamoravës. U theksua rëndësia e përfshirjes së universitetit përmes prezantimeve akademike, pjesëmarrjes së stafit dhe krijimit të mundësive që studentët të lidhen me bizneset pjesëmarrëse përmes aktiviteteve të networking-ut.
Forumi do të mbledhë përfaqësues të bizneseve, investitorë nga diaspora, institucione publike, komunat Gjilan, Viti dhe Kamenicë, si dhe partnerë zhvillimorë, përfshirë Caritas Switzerland, me synim promovimin e potencialeve ekonomike dhe mundësive konkrete për investime në rajonin e Anamoravës.
Një fokus i veçantë do t’i kushtohet investimeve të huaja direkte nga diaspora, identifikimit të sektorëve me potencial zhvillimi dhe orientimit të bizneseve drejt mundësive të reja që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të rajonit. Gjithashtu, do të shqyrtohen ide dhe rekomandime që mund të shërbejnë edhe për zhvillimin e programeve të reja studimore në universitet, në përputhje me nevojat e tregut të punës.
Rektorja Fitore Malaj theksoi se Universiteti Publik “Kadri Zeka” do të jetë me kënaqësi pjesë e organizimit të këtij forumi dhe do të kontribuojë me kapacitetet e tij akademike në suksesin e konferencës.
Ndërkaq, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, falënderoi Rektoren Malaj për gatishmërinë dhe bashkëpunimin institucional, duke vlerësuar rolin e universitetit si partner kyç në organizimin e forumit.
Nga diskutimet u theksua se konkluzionet e forumit do të shërbejnë si bazë për adresimin e nevojave zhvillimore të rajonit tek donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim identifikimin e fushave ku mund të mbështeten investimet dhe zhvillimi ekonomik i Anamoravës në vitet e ardhshme. /2LONLINE/
