(2LONLINE) – Universiteti Publik i Gjilanit “Kadri Zeka” ka mbajtur orë përkujtimore me rastin e datëlindjes të atdhetarit Kadri Zeka. Për jetën dhe veprën e veprimtarit Kadri Zeka foli prorektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Sabri Tahiri, i cili tha se , Kadriu bashke me vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, ishin pishtarë të lirisë së Kosovës, pa veprimtarinë e të cilëve Kosova nuk do ta kishte lirinë të cilën e gëzon sot.
Prorektori Tahiri tha se për ta përjetësuar vepren madhore të Kadri Zekës, pas themelimit të Universitetit publik në Gjilan, këshilli drejtues dhe kryeministri Hashim Thaçi vendosën që ky institucion i Arsimit të Lartë të Anamoravës të emërohet me emrin e atdhetarit Kadri Zeka të cilin do ta mbajë me krenari.
Shpresë Qamili koordinatore e Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan në fjalën e saj ndër tjerash tha se Kadri Zeka ra dëshmor në moshë të re, për të mbetur përjetë i ri dhe përfaqësues i rinisë shqiptare e idealeve të larta të saj.
Kurse Mehmet Zylfiu, kryetar I Parlamentit Studentor në Universitetin “Kadri Zeka”, tha se studentët janë të privilegjuar që universiteti i tyre mban emrin Kadri Zeka dhe do te mundohen që brezat e rijë të mos harrojnë kurrë veprën atdhedashëse të heronjve të cilët dhanë gjithçka që ne sotë të frymojmë shqip lirshëm.
Ndërkohë Studentët e fakultetit të Edukimit nën organizim të profesor Selim Sylejmanit janë paraqitur me disa recitale dhe pika muzikore në nderim të veprës së atdhetarit Kadri Zeka. /2lonline/