(2LONLINE) – Ky tempull i dijes dhe shkencës ishte bartës i vlerave nëpër breza. Nëse kthehemi në retrospektiv ky ishte simbol i rezistencës kombëtare, ndërsa sot është arenë e rrymave politike për dominim e këtij tempulli. Politika dhe stafi politikë i instaluar duhet të çrrënjoset nga themelet e tij, përndryshe kjo është shuarje e këtij institucioni. Dikur ishte yll që vezullonte ndërsa tash e disa vite ky yll po shuhet. Sigurisht që faktori njeri është përgjegjës për këtë.
Kërkesa është e arsyeshme që dikush të jep përgjegjësi për atë që po ndodh në këtë universitet qe disa vite. Edhe rektorët edhe stafi udhëheqës i mëhershëm ka qenë vartës të këtyre dukurive negative duke filluar nga regjistrime e studentëve, notimet, emërimet në poste , tenderat, pozitat, punësimet, titujt etj. Pra këto janë disa prej mundësive të keqpërdorimeve që janë bërë në këtë tempull. Fajësimi i një rektori më duket absurd dhe pa bazë. Duhet që një herë e përgjithmonë të ndalet trendi i shkatërrimit të këtij universiteti, pra të fillohet nga tash, pika zero.
Nga prizmi im nuk duket lehtë që të luftohet informaliteti aty, megjithatë aty ka profesorë dhe staf akademik me vlera të larta. Tash nuk duhet futur gjithë në një thes, sigurisht duhet zgjidhje urgjente dhe e menduar mirë sepse dëmtimet janë gati se të pariparueshme. Pra duhet menduar kah e ardhmëria, e jo ndoshta të merremi me të kaluarën, sepse nëse ndalemi aty shumë mund të hapet”kutia e Pandorës”.
Shikuar përgjithësisht në gjitha vendet udhëheqëse ka pasur keqmenaxhime dhe keqpërdorime, pothuajse në gjitha segmentet ka pasur devijime.
Duhet sakrificë e madhe për të ndryshuar kahje e rrjedhje së keqe kah udhëton universiteti, por kjo kërkon kohë, e jo bjerrje të kohës, nëse mendohet të zgjidhet problemi. E zgjidhja mund të ndodh nëse merren njerëzit e papolitizuar dhe punëtorë të sinqertë të vendosen në pozita udhëheqëse. Kjo mund të realizohet me një angazhim të palëve neutrale, e jo të atyre që pretendojnë se e kanë drejtë, rektorati apo edhe studentët. Ky është mendimi im personal e që mund të ketë edhe ide më të mira nuk e mohoj këtë.
Shkatërrimet nuk i bëjnë dobi asnjërës palë, po duhet të ketë forma të shprehjes së pakënaqësisë për atë që po ndodh në universitet. Edhe këtu duhet të ketë durimin e zgjatur për këtë problem, e jo të intervenohet nga palët. Këtu fiton ai që është më durimtarë, sepse kjo është lojë nervash që po zhvillohet atje dhe duhet pasur parasysh palët këtë fenomen.
Artan JAKUPI