Universiteti i Gjilanit dhe Universiteti i Korçës kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi, e cila është fokusuar më shumë në fushat e studimit të të dyja universiteteve. Marrëveshja gjithashtu do të ndihmojë në lëvizjen dhe mobilitetin e stafit akademik.
Rektori i Universitetit të Gjilanit, Arben Dermaku, tha për Radio Kosovën se marrëveshja e bashkëpunimit me Universitetin e Korçës, do të fokusohet në fushat e studimit që ofrohen nga të dyja universitetet, siç janë Fakulteti i Edukimit dhe Fakulteti Ekonomik. Bashkëpunimi me Universitetin e Korçës është një dritare e re për Universitetin e Gjilanit, tha Dermaku, duke theksuar se Gjilani do të përfitojë nga eksperiencat e Korçës.
“Gjithsesi do të ketë bashkëpunim në hapjen e degëve të reja në Universitetin e Gjilanit dhe do të marrim eksperiencën e universitetit të Korçës për degët që i kanë të zhvilluara. Meqenëse jemi Universitet i ri ne presim më shumë të përfitojmë njohuri dhe eksperienca nga Universiteti i Korçës” , tha ai.
Dermaku theksoi se Universiteti i Korçës ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Universitetin e Gjilanit në të gjitha fushat.
“Në lëvizjen apo mobilitetin e stafit akademik, por gjithsesi edhe në pasurimin e bibliotekës të Universitetit të Gjilanit me botimet e UK-së. Do të ketë pjesëmarrje të përbashkët nëpër konferenca. Universiteti i Korçës është pjesë e projekteve të përbashkëta me universitetet evropiane dhe do të ndihmojnë universitetin e Gjilanit si universitet i ri të kyçet në rrjedhat dhe të jemi pjesë e këtyre zhvillimeve”, tha ai.
Marrëveshja e nënshkruar në Korçë, është marrëveshja e parë për Universitetin e Gjilanit, si universitet i ri, i cili është themeluar vitin e kaluar./RTK/