DYLON

Uniteti ekzitencial i vargut në poezinë e Kaltrinë Berishës

Uniteti ekzitencial i vargut në poezinë e Kaltrinë Berishës
Avatar photo Redaksia

Arsim HALILI

UNITETI EKZITENCIAL I VARGUT NË POEZINË E KALTRINË BERISHËS

EkoHigjiena

( Për vëllimin e parë poetik të Kaltrinë Berishës, UNI I NDARË, edituar nga Shtëpia botuese “BEQIR MUSLIU”, 2024, e cila po paraqitet dhe në Panairin e parë të librit, në Preshevë, 21 – 22 qershor 2025 )

Kaltrina Berisha kjo poete e re duket qartë nuk ka nxituar për ta degraduar unin e vet krijues. Duke qenë një lexuese intelektule e letërsisë,ajo i di mirë parametrat që kërkohen për të bërë letërsi të mirë. Pa çka një gjë të tillë e kerkon edhe te vetja e saj. Duhet të pranojmë se shumica e krijueve të rinjë, qoftë nga mosha, por edhe nga sasia krijuese me raste edhe nuk janë në nivel të detyrës. Te Kaltrina nuk mund të thuhet një gjë e tillë.

Duke lexuar përmbledhjen poetike” Uni i ndarë “, guxojme të themi se paradigëm e asaj që e shpërfaq është objektivisht e qartë njeriu pavarsisht statusit social dhe gjinor, përcjell çdo dukuri sociale here herë edhe asociale, ku me të drejtë Kaltrina krijon këtë divergjencë, dhe vetndërgjegjësim pa shitur moralizime.

Në qoftë se trajtimi i qenies sociale në këtë rast në letërsi në rrafshin antropolgjik dhe filozofik, përbën një akt emocional e intelektual gjithsesi buron si etnitet me drejtim unik të reagimeve plotësisht konstituive të qenies letrare, ajo thjesht e përçon reagimet kuptimore dhe filozofike.

Le të ndalemi në një analizë të disa poezive përmbledhjes “ Uni i ndarë” të poetes së re Kaltrina Berisha. Poezia “Parfumi i narcistit” Është një tekst thellësisht kompleks, i ngarkuar me figura poetike, filozofi, simbolikë moderne dhe një estetikë urbane. Parfumi, në këtë rast, është metaforë e ndjeshmërisë estetike, joshjes, por edhe e një substance të paprekshme që futet në çdo hapësirë — një lloj hyjnie apo pranie që përshkon trupin, qytetin dhe vetë jetën dhe vdekjen. Poezia e vendos këtë parfum si substancë mbizotëruese, pothuaj hyjnore:

“veç nji aromë
e pashueme
ma nalt qiellit
e ma poshtë tokës

Forma dialektore e shkrimit (e ngjashme me gegnishten letrare) shton një ndjenjë të afërsisë fizike, tokësore, e njëkohësisht përforcon identitetin kulturor të tekstit si kundërvënie ndaj një universi artificial, të standardizuar.Poezia krijon një pamje të një qyteti të dekadent, të përmbytur . Nuk është vetëm dekadenca morale, por një dekadencë e ndjeshmërisë.

“ma nalt qiellit
e ma poshtë tokës”

Është një metaforë për diçka që përtej jetesës fizike ndoshta një shpresë, një ndjesi e bukurisë që s’mund të vdesë, një transcendencë estetike apo ekzistenciale.Poezia “Parfumi i narcistit”paraqet një meditim poetik i ngarkuar me sensualitet, turbullim moral. Ajo përshkruan një botë ku qyteti është trup i përbaltur, ku dashuria është imazh i deformuar dhe ku aromat si shenja të kujtesës dhe dëshirës bëhen të vetmet rrugë për ta ndjerë ekzistencën përtej reflektimit.

Kurse poezia tjetër“Bohemia” është një poezi që vjen si produkt i shpirtit të lirë, intelektual. Një tekst që kërkon shumë nga lexuesi – qasje filozofike, ndjeshmëri estetike, dhe durim për të ndarë realitetin nga metafora. Nuk ofron përgjigje, por hap shtigje për të menduar thellë mbi qenien, artin, gjuhën dhe vetminë.

Poezia mund të shihet si një manifest intim i poetes Berisha , që e vendos veten në kufijtë e përjetimit njerëzor dhe artit, gjithmonë në kërkim të përkufizimit të të qenurit.Kur e analizojmë poezinë “Pikëpresje” themi se është ndërtuar si rrjedhim lirik i ndërlidhura nga një frymë e brendshme melankolie dhe humbjeje të pashmangshme.

“Pak helm kohë pas kohe
t’falë ëndrra të bukura,
dhe në fund shumë helm
për një vdekje të këndshme.

Ky katren i parë është një paradoks poetik i fuqishëm: si dhuratë për ëndrra të bukura, një oksimoron që shkrin jetën dhe vdekjen në një përvojë të përbashkët estetike. Iluzioni që të ndihmon të mbijetosh – derisa ta harrosh veten.

më qesharake se një letër dashurie
më të errëta se rruga e vdekatarëve.

Ironia ndaj vetes është një strategji mbrojtjeje, por ajo gjithashtu zbulon humnerën ku fjala dashuri është shndërruar në absurditet.

“Kam kaq kohë që rri këtu
herë me Judën, herë me Krishtin,

Një varg brilant në simbolikën e vet:poetja Berisha që rri mes pikëpresje ontologjike asnjëherë e plotë, asnjëherë e shpëtuar. Një vend i ndërmjetëm, si vetë lumi i Akerontit Një tjetër metaforë që ndërlidh letërsinë klasike me ekzistencializmin modern.Kurse vargjet e fundit

Unë nuk e thashë atë që doja,
Dhe gjithçka tjetër vdes me ty.

E kronizojnë gjithë poezinë me një akt heshtjeje poetike. Në thelb, fuqinë e fjalës shpreh të vërtetën – një vëzhgim thellësisht modernist që përputhet me shkrimtarët si T.S. Eliot apo Paul Celan. Vdekja këtu nuk është thjesht biologjike, por gjuhësore. Kur fjala dështon, gjithçka shuhet. Pikëpresje është e ndërthurur me simbolikë biblike, klasike dhe ekzistencialiste. Kaltrina Berisha në këtë poezi nuk i jep zë vetëm melankolisë.

Sa i përket poezisë “Mehr Licht”Fjalët “Mehr Licht” janë të njohura si fjalët e fundit të Johann Wolfgang von Goethe, simbolist i ndriçimit shpirtëror e intelektual. Këtu, poetja Berisha përdor këtë shprehje në mënyrë intertekstuale për të vënë në dukje një kërkim metafizik për dritën, ku “drita” është simbol i jetës, njohjes, shpëtimit, por edhe i vdekjes së qetë. Kjo poezi fillon me kërthinin – një simbol i lindjes së parakohshme, një jete që nuk i përket kohës së vet dhe mbyllet me dëshirën për një vdekje të ëmbël (“me dekë amshtë”), duke krijuar një qark nga lindja në vdekje. Figura femërore e Rinëzës, përdoret për të krijuar një lidhje ndërbreznore të dhimbjes dhe kujtesës historike, njëfarë përkujtimi i tragjedisë së një kombi. Krijimi i imazheve poetike të pazakonta si:“zemra gurëzohet”,“trupi cangël”,“me nji huj”,“sy t’fikun” – që evokojnë një përvojë të ashpër jetësore dhe emocionale. Tingëllima e fjalëve dhe përdorimi i dialektit gegë i jep autenticitet dhe ton intim, duke krijuar një ndjesi të afërt dhe të vërtetë. Poezia “Mehr Licht” e Kaltrina Berishës është një tekst i thellë, filozofik dhe emocionalisht i ngarkuar, që bashkon simbolikën moderne me mitologjinë shqiptare, në një mënyrë të fuqishme dhe shpeshherë tronditëse.Ajo prek thelbësisht përvojën njerëzore të lindjes së pakuptuar, dhimbjes trupore, harresës kolektive dhe nevojës për kuptim në errësirë.

Duke e lexuar poezinë “Rrugëtimi i një Sizifi modern” kuptojmë se kjo poezi ka një tekst poetik i ngjeshur me referenca mitologjike, letrare dhe filozofike, i cili përbën një reflektim të thellë mbi identitetin, vuajtjen, ciklizmin e jetës dhe kërkimin e kuptimit në një realitet bashkëkohor që e zhyt njeriun në paradokse dhe vetëpyetje të pafundme. Në këtë poezi vendoset një lidhje të qartë me mitin e Sizifit,që përjeton një vuajtje të përjetshme. Kaltrina e interpreton këtë figurë si simbol të absurdit bashkëkohor, ku përpjekja njerëzore është e vazhdueshme, por jo domosdoshmërisht shpërblyese.Shohim vargjet

“më lini të nisem në një rrugë qarkore”

Poezia mbushet me intertekste nga letërsia dhe mitologjia, duke krijuar një kolazh identitetesh që ndërthuren me subjektin lirik:Penelopa dhe Odiseu – evokojnë temën e pritjes, besnikërisë dhe udhëtimit pa fund;Andromaka – një grua që përfaqëson dhimbjen dhe tragjedinë;Ana (e Dashuruar) – dashuria si akt shpëtimi; Raskolnikovi – faji, pendesa dhe ekzistencializmi rus; Pushkini dhe Cari – ndërmjetësimi mes artit dhe pushtetit, Zonja Bovari – mëkati, ëndrrat e kota, shoqëria patriarkale; Katedralja e Parisit – identiteti i tretur në arkitekturën e tragjedisë;Zorba dhe Ujku i stepës – dy ekstreme të shpirtit: hedonizmi dhe vetmia ekzistenciale. Ky pasazh e vendos subjektin në një labirint figurash kulturore, duke sugjeruar se identiteti i saj është i fragmentuar dhe i përbërë nga shumë zëra. Ka një kontroll të saktë të ritmit dhe një përdorim të kujdesshëm të anadiplozës (përsëritja e vargut të parë), që krijon ndjesinë e një lutje e brendshme, një monolog i palodhur shpirtëror. mund të kenë lënë pasoja të thella psikologjike.

Heshtja dhe mungesa e zërit janë të pranishme gjatë gjithë poezisë, e sidomos në vargun “prej të sajës heshtje” që përmban një zë të zhurmshëm në mungesë – një paradoks që jep thellësinë psikologjike të krizës.Kaltrina Berisha përdor një stil të thyer, intim dhe shumë introspektiv. Fjalët janë të matura me kujdes, ndërsa ritmi është i ngadalshëm, si vetë lëvizjet e figurës qendrore. Ka një ngarkesë të thellë emocionale, por që jepet me maturi. /2LONLINE/