“Unë prind i fëmijëve me nevoja të veçanta!”

“Unë prind i fëmijëve me nevoja të veçanta!”

Marrë shkas dhe shkruaj për shumë prindër të fëmijëve me nevoja të veçanta, të shkruaj për zërin e tyre të heshtur, të shkruaj për ndjenjat e tyre, e veçanërisht në këtë fillim shtatori.

Shkruan: Ema Sallahu

e sponzorizuar

Edhe pse ka filluar viti i ri shkollor shumica e prindërve, të fëmijëve me nevoja të veçanta, bredhin rrugëve poshtë e përpjetë, duke trokitur derë më derë, për një të drejt elementare që edhe fëmijët e tyre të gëzojnë shkollim në mënyrë të barabartë sikurse fëmijët e tjerë.

E ne si profesionistë të kësaj fushe gjithmonë bëjmë përpjekje që këta fëmijë të jenë pjesë e shkollimit të barabartë duke mos harruar thënien e famshme “Jam mes jush, i ndryshëm, i ngjashëm, i barabartë”.

Duke u bazuar në Ligjin e Republikës së Kosovës për arsimim të barabartë të të gjithë fëmijëve atëherë po iu drejtohem juve z. Kryeministër, Ministri e Arsimit dhe ju Kryetarë të Komunave përkatëse, si ka mundësi të mos keni as edhe një përgjegjësi sa morale aq edhe ligjore mbi shkollimin e barabartë të këtyre fëmijëve.

Në çdo premtim tuajin, në çdo bisedë me ndonjërin prej jush, marrim fjalë se jeni drejt ndryshimeve në të mirë sa i përket këtij aspekti. Por, si gjithmonë përfundojmë në fjalë dhe premtime, e që nuk siguruat as edhe një asistent të këtyre fëmijëve e aq më pak një mësuese mbështetëse.

Vendosni vetën tuaj në një pozitë të tillë, çfarë do të bënit nëse iu ishte cenuar e drejta për shkollim fëmijës tuaj?!

Po shkruaj edhe për 99% të prindërve që nuk kanë një fëmijë të tillë të cilët bëjnë përpjekje të mëdha që fëmija i tyre të ketë një mësuese sa më adekuate për shkollimin e fëmijëve të tyre.

Sa keq, sa e dhimbshme ndaj prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta që nuk e kanë as luksin dhe as privilegjin të zgjedhin si ju.

Më e pafalshmja nga ana juaj është fakti që ju si prindër nuk pranoni në asnjë formë apo tjetër që fëmija i tyre të ketë në klasë një fëmijë me nevoja të veçanta.

Si ka mundësi që në ditët e sotme të ndodh një gjë e tillë, duke i mësuar fëmijët e juaj që fëmijët me nevoja të veçanta janë nuk janë të barabartë dhe si të tillë janë të pa dobishëm për shoqërinë.

E diçka që më duhet të cek është se edhe disa prej mësimdhënësve klasor, ngurrojnë të kenë një fëmijë të tillë në klasë. Po, po, ky është realitet që e kemi parë!

Ju prindër, sot keni mbushur rrjetet sociale me fotot dhe urimet më te mira për fëmijët tuaj që veç se kanë filluar vitin shkollor, edhe unë iu uroj një vit të mbarë shkollor, mirëpo vendoseni veten tuaj në vend të prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta.

Ata vishen po sikur fëmijët tuaj, kanë blerë çantë njësoj sikur fëmijët tuaj, por gëzimi dhe buzëqeshja e prindërve dhe këtyre fëmijëve për një moment shtanget po sa hyn ne oborrin e shkollës pasi që injorohen nga ju prindër të dashur, nga ju që edhe vetë jeni prindër dhe duhet të kuptoni më shumë se çdo kush tjetër. Me keqardhje e them se po, edhe ky është realitet.

Po e përmbyll me shpresën se të gjithë së bashku të kontribuojmë në edukimin dhe vetëdijesimin e të gjithë fëmijëve që nesër ky brez të punojë dhe të ngrehë zërin për të gjithë fëmijët që të shkollohen në mënyrë të barabartë.

/autorja është psikologe, këshilluese psikosociale në QKD “Pema” në Gjilan.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE