Unë jam katunare!
Shkruan: Saranda R.Shala
Te jesh katundare nuk është turp, përkundërazi është krenari. Me këtë njeriu tregon kulturë, qytetrim, dinjitet, respekt për fshatin, fisin, origjinën, prejardhjen e tij.
Mua nuk më trembin fjalët e injorantëve, mendimet primitive që mund të thuhen diku, por më gëzon fakti që për dallim nga qytetarët e Gjakovës, unë jam katundare e një fshati tejet të bukur, Kunushec, por e lindur dhe e rritur në Prishtinë.
Duke lexuar një ditë lajme, rastisa të shikoj një kronikë, e cila më hamendësoi me disa opinione tek disa të rinj nga Gjakova, ku në mënyrë publike, pa fije turpi, duke u zgërdhirë ofendonin bashkëqytetarët e tyre, duke dalluar ata në katundarë dhe qytetarë.
Madje njera tregonte që përpara vetëm me pasaportë kanë pas të drejtë të hyjnë në qytet.
Jo kot desha të komentoj për këtë temë, ku këto vajza të reja treguan dhe njëherë që mbjellja e urrejtjes, diskriminimi për fshatarët daton me vite në këtë qytet. Ka mbi pesëmbëdhjetë vite kur pata takuar në pushime, një mike nga Gjakova, e cila qante se si shoqëria nuk e pranon vetëm pse është fshatare.
Pas gjithë këtyre viteve, kam menduar që është larguar kjo dukuri negative, por dhe në këtë shekull shohim të reja që flasin kaq hapur duke ofenduar, jo vetëm origjinën e tyre, por dhe vendin dhe shoqërinë. Ishte shokuese për mbarë opinionin shqiptar.
Problemi nuk është vetëm tek mënyra e të menduarit, pasi paragjykimet kanë një shtrirje të gjerë në qëndrimet njerëzore.
Këto lloj paragjykime dhe qëndrime negative janë vërtet të pajustifikueshme, pasi shpesh në jetën e përditshme krijohen konflikte të ndryshme sociale midis grupeve. Këto grupe zakonisht favorizojnë njërën palë dhe me sjelljen e tyre negative diskriminojnë anën tjetër. Personat e disfavorizuar, përveç që ndihen të indinjuar, të refuzuar nga shoqëria, fillojnë të jenë më kërcenues, pasi nevoja për ruajtje identiteti personal, nevoja për respekt, shpeshherë bëhet shkak i konfliktit të tyre.
Gjithashtu fillon të shfaqet dhe rivaliteti i drejtëpërdrejtë për vlera të caktuara duke krijuar armiqësi. Qëndrimet negative, indiferenca e tyre matet dhe me aftësinë e tyre, duke shfaqur kërkesa për t’u përshtatur në shoqëri. Shembull: nëse një nxënëse, student, apo shok-shoqe nuk flet, nuk vishet, nuk ka të ardhura si ata, nuk e pranojnë një përfaqësuese të klasës së ulët, as në shtëpi, as nuk martohen, pra e diskualifikojnë nga rrethi.
Kjo tendencë për të refuzuar njerëzit e grupeve të tjera është më e shprehur në disa njereëz dhe më pak e shprehur tek disa të tjerë. Zakonisht individët që shfaqin karakteristika të personalitetit autoritar vazhdimisht i refuzojnë njerëzit e grupeve tjera. Ata qysh në fëmijëri edukohen nga prindër dominues që përdorin masa të rënda ndëshkuese disiplinore. Duket që personat që mendojnë në terma të thjeshtë, janë më paragjykues, pasi janë kategori që kanë nevojë për një shkarkim të frustrimeve të tyre personale.
Shikuar në prizimin psikologjik, qetësia shpirtërore që të ofron jeta në fshat, nuk krahasohet me jetën në qytet. Madje jeta në qytet ka predispozita më të mëdha të rritjes së stresit, duke shkaktuar dhe sëmundjë të tjera të shëndetit mental, pasi banorët e qytetit i ekspozohen dhe rrëzikut më të madh nga ndryshimet e shpeshta të disponimit.
Prandaj kjo ndarësi katundar/qytetar është shumë primitive. Nuk ka rëndësi vendi ku ke lindur, por mënyra si sillesh aty ku jeton. Nga pikëpamja e origjinës, ne jemi të gjithë katundar. Para gjithash rëndësi ka të jemi njerëz në mendje e në trup. Prandaj me mburrje e them: UNE JAM KATUNARE!
