“Në përditësimin e fundit të ranglistës së njohur botërore “Webometrics”, Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan shënon një rritje të shkëlqyeshme duke u ngritur për 4,301 vende më lart krahasuar me vitin e kaluar. Ky përparim vërehet në të dy aspektet e rangimit, si atë të përgjithshëm, ashtu edhe në atë të metrikave të bazuar në kërkim shkencor, inovacion dhe ndikimin në shoqëri”, thuhet në komunikatë.
Për të theksuar suksesin në renditjen në Webometrics, UKZ lë pas universitetet publike të tjera në Kosovë. Ngritja e shkallës së vendosjes është impresionuese, duke qenë 4 herë më e lartë krahasuar me vitin e kaluar. Për krahasim Universiteti i Prishtinës si ndër institucioni kryesor arsimor në Kosovë ka një rritje për 100 vende, kurse UBT për 3 000 vende.
Ky sukses i ngritjes së rangimit të UKZ-së në Webometrics, i atribuohet para se gjithash punës së stafit akademik, si dhe punës së palodhshme të menaxhmentit të ri në krye me rektorin Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, të cilët janë duke i përmirësuar kushtet dhe infrastrukturën për rritjen edhe më të madhe të pozicionin në rangimin e UKZ-së në Webometic.
Megjithatë edhe pse ka arritur një sukses të shkëlqyeshëm, UKZ ende synon përmirësime duke shfrytëzuar potencialet e tjera të vlefshme. Në krahasim me institucionet e tjera të rajonit, ende ka sfida për të cilat universiteti është duke punuar me seriozitet. Menaxhmenti dhe stafi janë angazhuar në identifikimin e mangësive dhe po ndërmarrin nisma strategjike për të avancuar pozicionin në këtë platformë prestigjioze.
UKZ ka dëshmuar performancë të jashtëzakonshme me numrin e publikimeve shkencore në platformat e njohura si Scopus dhe Google Scholar. Rritja është reflektim i përpjekjeve të vazhdueshme dhe kontributit të stafit akademik në fushën e kërkimit shkencor.
Suksesi i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan në këtë rangim tregon një përparim dhe një përkushtim të vazhdueshëm për standarde të larta në arsimin e lartë në Kosovë.
Ndryshe Webometrics vlerëson rreth 30 mijë universitete nga e gjithë bota dhe konsiderohet si një ndër ranglistat më të rëndësishme për arsimin e lartë, thuhet në komunikatë.. /2LONLINE/