DYLON

UKZ prezanton ofertën akademike para maturantëve në Gjilan

UKZ prezanton ofertën akademike para maturantëve në Gjilan
Avatar photo Redaksia

Përfaqësues të Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Gjilan, zhvilluan një takim informues me maturantët e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi” në Gjilan, me qëllim prezantimin e programeve studimore dhe mundësive që universiteti ofron për studentët e ardhshëm.

Gjatë takimit maturantët patën mundësinë të informohen më nga afër për jetën universitare, zhvillimin akademik dhe perspektivat profesionale që ofron Universiteti Publik “Kadri Zeka”.

EkoHigjiena

Para të pranishmëve folën Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, dhe Prodekani Prof. Ass. Dr. Blerim Haziri, të cilët prezantuan programet studimore të fakultetit, duke theksuar rëndësinë e arsimit cilësor dhe përgatitjes profesionale për tregun e punës.

Gjatë bashkëbisedimit, ata inkurajuan maturantët që të ndjekin ambiciet dhe synimet e tyre, duke vlerësuar arsimin si një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit personal dhe shoqëror. Po ashtu, u theksua se zgjedhja e profesionit duhet të bazohet në pasion, përkushtim dhe besim në potencialin individual të secilit të ri.

Maturantët mirëpritën këtë vizitë dhe shprehën interesim për programet e ofruara, duke e konsideruar takimin si një mundësi të vlefshme për orientimin e tyre akademik dhe profesional në të ardhmen. /2LONLINE/