UKZ prezantoi materialet e saj mësimore në trajnimin e projektit AGILE në Riga të Letonisë
Universiteti Publik “Kadri Zeka”, Gjilan, mori pjesë në punëtorinë e parë të trajnimit të projektit Erasmus+ AGILE (1st Retrain workshop), të mbajtur në Riga Technical University (RTU), Riga të Letonisë. UKZ u përfaqësua nga z. Selim Daku, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe menaxher i projektit AGILE, dhe z. Betim Berisha, udhëheqës i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar.
Punëtoria mblodhi partnerët e projektit nga Greqia, Letonia, Polonia, Kenia, Shqipëria dhe Kosova, me fokus në temat e gjelbra dhe në metodat e reja të mësimdhënies. Pjesëmarrësit u trajnuan për hartimin e kurseve për grupe specifike të synuara, për përdorimin e teknologjive digjitale dhe të inteligjencës artificiale në mësimdhënie, si dhe për krijimin e materialeve për platformat e mësimit online. Programi përfshiu edhe prezantime për mundësitë e bashkëpunimit dhe të mobilitetit ndërkombëtar përmes Erasmus+, KA171, CEEPUS dhe BIP, si dhe vizita në laboratorët e RTU-së.
Në kuadër të punëtorisë, z. Selim Daku prezantoi materialet mësimore të përgatitura nga UKZ për kursin e hapur online të projektit: Modulin “Digital Transformation and Global Governance”, nga lënda “Gender and Digital Transformation in Diplomacy”. Moduli trajton transformimin digjital të administratës publike dhe të diplomacisë, qeverisjen globale të hapësirës digjitale, matjen e qeverisjes elektronike, si dhe çështjet e gjithëpërfshirjes, të barazisë gjinore dhe të qëndrueshmërisë. Materialet janë pjesë edhe e paketës “Green Digital Governance, Diplomacy and Inclusive Innovation”, të cilën e udhëheq UKZ. Përfaqësuesit e UKZ-së morën pjesë edhe në takimin e Komitetit Menaxhues të projektit, ku u diskutua progresi i zbatimit të pakove të punës, sigurimi i cilësisë, progresi financiar dhe shpërndarja e rezultateve, si dhe u dakorduan hapat e ardhshëm.
Projekti AGILE (Accelerating Green and Inclusive Learning Ecosystems) koordinohet nga Harokopio University of Athens dhe synon modernizimin e arsimit të lartë përmes ekosistemeve të të nxënit të orientuara drejt kompetencave, që integrojnë aftësitë e gjelbra, digjitale dhe të biznesit. Përmes kurrikulave inovative, laboratorëve modernë, platformave digjitale dhe bashkëpunimit universitet–industri, projekti synon rritjen e punësueshmërisë së studentëve dhe të forcoj kapacitetet institucionale. /2LONLINE/
