DYLON

UKZ nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi në kuadër të CoVE Kosovo

UKZ nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi në kuadër të CoVE Kosovo
Redaksia

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka shënuar një tjetër hap në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet arsimit të lartë, arsimit dhe aftësimit profesional dhe tregut të punës, përmes nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit në kuadër të Qendrës Rajonale të Ekselencës Profesionale – CoVE Kosovo.

Në Laboratorin STEM, në hapësirat e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara në UKZ, fillimisht pjesëmarrësit u pritën në një ekspozitë të punimeve të studentëve.

EkoHigjiena

Në hapje të aktivitetit Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte z. Arben Sahiti, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në zhvillimin e kompetencave dhe shkathtësive të reja në fushat STEM.

Më pas, Dekani i Fakultetit të Shkencave të Aplikuara, z. Xhevdet Thaqi, prezantoi aktivitetet dhe objektivat e Qendrës Rajonale të Ekselencës Profesionale – CoVE STEM Europe, me fokus në zhvillimin e një ekosistemi të qëndrueshëm rajonal të shkathtësive përmes bashkëpunimit ndërmjet arsimit dhe aftësimit profesional, arsimit të lartë, industrisë dhe aktorëve të tjerë relevantë.

Në kuadër të aktivitetit u prezantua edhe Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunim në kuadër të CoVE Kosovo, i cili synon të krijojë një bazë të qëndrueshme për bashkëpunim në arsimin dhe aftësimin profesional në fushat STEM.

Nëpërmjet këtij Memorandumi, mes UKZ-së/Qendrës CoVE  dhe palëve tjera nënshkruese që janë, DKA në Gjilan dhe Kamenicë, qendrave për aftësim profesional, kompanive dhe institucioneve nga tregu i punës, të gjitha së bashku shprehen gatishmërinë për të punuar në zhvillimin e programeve të mentorimit, praktikave profesionale, hackathon-eve dhe aktiviteteve praktike, bashkëzhvillimin dhe përmirësimin e kurrikulave dhe moduleve STEM, ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve dhe trajnerëve, si dhe në kërkimin e përbashkët universitet–industri dhe identifikimin e nevojave të tregut të punës për shkathtësi STEM.

Bashkëpunimi do të përfshijë gjithashtu shkëmbimin e ekspertizës dhe praktikave të mira, promovimin e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes në arsimin STEM, si dhe forma të tjera të bashkëpunimit me interes të përbashkët.

Në përfundim të aktivitetit u zhvillua nënshkrimi solemn i Memorandumit të Mirëkuptimit, duke formalizuar angazhimin e palëve për të kontribuar në zhvillimin e shkathtësive profesionale, rritjen e atraktivitetit të arsimit dhe aftësimit profesional dhe përafrimin e kompetencave me nevojat e tregut të punës.

CoVE STEM Europe është një iniciativë që synon adresimin e sfidave që lidhen me mungesën e fuqisë punëtore dhe mospërputhjen e shkathtësive, veçanërisht në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM), përmes krijimit të Qendrave Rajonale të Ekselencës Profesionale dhe ndërtimit të partneriteteve ndërmjet institucioneve arsimore dhe sektorit privat. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.