UKZ në mbështetje të vlerave kombëtare dhe parimeve të drejtësisë
Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka pritur në takim përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria Ka Emër”, duke riafirmuar përkushtimin institucional për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si pjesë e historisë dhe identitetit kombëtar.
Si institucion publik i arsimit të lartë me mision kombëtar, Universiteti Publik “Kadri Zeka” thekson se mbrojtja e vlerave të luftës çlirimtare lidhet ngushtë me ruajtjen e identitetit kombëtar, forcimin e shtetësisë dhe kultivimin e kulturës së paqes, drejtësisë dhe demokracisë.
Me këtë rast, Rektorja e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Fitore Malaj, tha se “Liria Ka Emër” është një kauzë që i bashkon qytetarët përtej dallimeve politike.
“Liria Ka Emër është kauzë kombëtare, tejkalon çdo interes partiak, sepse këto janë vlera kombëtare. Këto vlera askush nuk mund t’i kontestojë. Janë vlera që do të mbijetojnë, sepse janë vlera kombëtare. Çdo rrugë dhe çdo institucion është amanet i atyre që kanë sakrifikuar dhe kanë kontribuar për Kosovën”, u shpreh Malaj.
Përfaqësuesja e platformës qytetare “Liria Ka Emër”, Eliza Hoxha, tha se kjo vizitë vjen si pjesë e angazhimit qytetar për të mbështetur vlerat e luftës çlirimtare dhe për të rikujtuar rëndësinë e drejtësisë, dinjitetit dhe respektimit të sakrificës historike të popullit të Kosovës.
Menaxhmenti i universitetit ritheksoi se ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës meritojnë respekt institucional dhe shoqëror, duke theksuar se zëri i përbashkët në mbështetje të drejtësisë është edhe një mesazh për ruajtjen e dinjitetit dhe kujtesës historike.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” vlerëson se kujtesa institucionale dhe respekti për kontributin historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë pjesë e rëndësishme e edukimit qytetar dhe akademik, duke nxitur brezat e rinj të njohin dhe të vlerësojnë sakrificën për liri, shtetndërtim dhe paqe. /2LONLINE/
