Aktivitete përkujtimore në nderim të veprimtarit të çështjes kombëtare Ilmi Ramadani
U.d. Rektorja e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Fitore Malaj, së bashku me stafin akademik dhe administrativ të universitetit, morën pjesë në aktivitetet përkujtimore të organizuara në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të atdhetarit të shquar, veprimtarit të çështjes kombëtare, të burgosurit politik, luftëtarit të lirisë, shtetndërtuesit të Republikës së Kosovës, anëtarit të Këshillit Themelues dhe i Bordit të Përkohshëm Drejtues të universitetit, Ilmi Ramadani.
Aktivitetet, të organizuara nga Komuna e Gjilanit, filluan me homazhe te Varrezat e Dëshmorëve, ku u nderua me respekt figura dhe vepra e Ilmi Ramadanit. Më pas u mbajt Akademia Përkujtimore, në të cilën u vlerësua kontributi i tij i çmuar për lirinë e Kosovës dhe për themelimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, si anëtar i Këshillit Themelues dhe i Bordit të Përkohshëm Drejtues të universitetit.
Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë u promovua edhe libri “Ilmi Ramadani – veprimtar qëndrestar” i autorit Selatin Novosella. Libri sjell një dokumentim të jetës, veprimtarisë dhe kontributit të Ilmi Ramadanit, duke pasqyruar rrugëtimin e tij atdhetar dhe angazhimin e palodhshëm në shërbim të çështjes kombëtare.
Me këtë rast, U.d. Rektorja Fitore Malaj theksoi se Ilmi Ramadani ishte një personalitet me rol të rëndësishëm në historinë e universitetit dhe të vendit. “Ilmi Ramadani la një gjurmë të pashlyeshme në rrugëtimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe në përpjekjet për lirinë e vendit. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten frymëzim për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë”, u shpreh Rektorja Malaj.
Pjesëmarrja e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në këto aktivitete përkujtimore ishte një shprehje e respektit dhe mirënjohjes institucionale për figurën dhe kontributin e Ilmi Ramadanit. Si anëtar i Këshillit Themelues dhe i Bordit të Përkohshëm Drejtues të universitetit, ai mbetet pjesë e historisë dhe identitetit të UKZ-së, ndërsa vepra dhe përkushtimi i tij vazhdojnë të jenë frymëzim për komunitetin akademik dhe për brezat që vijnë. /2LONLINE/
